Dilara Hamit
03 shtator 2026•Përditësim: 04 shtator 2026
Gloria Steinem, gazetarja dhe aktivistja që u bë një nga udhëheqëset më të shquara të lëvizjes për të drejtat e grave në SHBA, ka vdekur në moshën 92-vjeçare, transmeton Anadolu.
Steinem vdiq të mërkurën në shtëpinë e saj në Nju Jork, njoftoi Gloria’s Foundation përmes një postimi në Instagram të enjten.
Fondacioni tha se ajo “ka ndërruar jetë paqësisht në shtëpinë e saj në Nju Jork, e rrethuar nga disa prej njerëzve të shumtë që e donin”. Nuk u bë e ditur shkaku i vdekjes.
E lindur në Toledo të Ohajos në vitin 1934, Steinem studioi në Smith College përpara se të kalonte dy vjet në Indi, ku përvoja e saj me organizimin në nivel komunitar ndihmoi në formësimin e aktivizmit të saj të mëvonshëm.
Ajo u zhvendos në Nju Jork në fillim të viteve 1960 dhe fitoi vëmendje kombëtare me një investigim të fshehtë në vitin 1963 mbi kushtet e punës së grave të punësuara si “Bunnies” në klubet Playboy.
Në vitin 1968, ajo ndihmoi në themelimin e revistës New York, ku shërbeu si kolumniste politike dhe shkroi për zgjedhjet, lëvizjet shoqërore dhe të drejtat e grave.
Më vonë, Steinem bashkëthemeloi revistën Ms., e cila u shfaq për herë të parë si shtojcë e revistës New York në vitin 1971, përpara se të bëhej një botim i pavarur në vitin 1972.
Në një kohë kur botimet e drejtuara ndaj grave përqendroheshin kryesisht te bukuria, gatimi dhe jeta shtëpiake, Ms. trajtonte çështje si aborti, dhuna në familje, diskriminimi në vendin e punës, ngacmimi seksual dhe paga e barabartë.
Steinem gjithashtu ndihmoi në themelimin e Women’s Action Alliance në vitin 1971. Organizata promovonte edukimin joseksist dhe multiracor, si dhe koordinonte burimet për grupet e përfshira në lëvizjen e grave.
Ajo ishte gjithashtu ndër themelueset e National Women’s Political Caucus, Ms. Foundation for Women dhe Women’s Media Center.
Steinem u bë një nga mbështetëset kryesore të të drejtave riprodhuese gjatë viteve 1970. Ajo kishte kryer një abort në Londër kur ishte 22 vjeçe, në një kohë kur procedura ishte e paligjshme, dhe më vonë foli publikisht për këtë përvojë.
Ajo e mirëpriti vendimin historik të Gjykatës Supreme të SHBA-së të vitit 1973 në çështjen Roe kundër Wade, i cili njohu të drejtën kushtetuese për abort. Gati pesë dekada më vonë, ajo dëshmoi përmbysjen e këtij precedenti nga gjykata në vendimin e vitit 2022 në çështjen Dobbs kundër Jackson Women’s Health Organization.
Aktivizmi i saj u shtri përtej të drejtave riprodhuese, duke përfshirë pagën e barabartë, martesat mes personave të të njëjtit seks dhe kundërshtimin e dënimit me vdekje dhe gjymtimit gjenital të grave.
Në vitin 2013, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, i akordoi Steinem Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil në SHBA, duke vlerësuar udhëheqjen e saj në lëvizjen për çlirimin e grave dhe punën e saj për avancimin e të drejtave civile.
Gloria’s Foundation tha se Steinem vazhdoi të punonte për barazinë deri në fund të jetës së saj, duke kaluar vitet e fundit duke shkruar dhe organizuar takime në shtëpinë e saj në Nju Jork për aktivistë dhe mbështetës të drejtësisë sociale.