Ekip
27 Maj 2020•Përditësim: 27 Maj 2020
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro falënderoi Iranin gjatë fundjavës pasi një nga pesë tankerët e dërguara nga Teherani me karburant i është afruar njërit prej porteve të vendit, duke thënë se ai nuk do të "gjunjëzohet" para SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Venezuela dhe Irani të dy dëshirojnë paqen. Ne kemi të drejtë të tregtojmë lirshëm", tha Maduro në një adresim në televizionin shtetëror.
Teherani kishte paralajmëruar për "pasoja" nëse SHBA bllokonte cisternat, të cilat mbajnë 1.5 milionë fuçi karburant. Anijet po mbërrijnë përkundër kërcënimeve dhe sanksioneve të ashpra nga administrata e Trumpit, e cila nuk pranon marrëdhëniet midis Karakasit dhe Teheranit.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësimin për aktivitetet e Iranit në Venezuelë.
"Venezuelasit kanë nevojë për zgjedhje presidenciale të lira dhe të ndershme që çojnë drejt demokracisë dhe rimëkëmbjes ekonomike, jo marrëveshjet e shtrenjta të Maduros me një shtet tjetër të parëndësishëm", tha zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus.
Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel gjithashtu iu gëzua ardhjes së tankerëve iranianë në Venezuelë.
"Një nga pesë tankerët iranianë mbërrijnë në Venezuelë duke thyer bllokadën e papranueshme dhe kriminale. "#VivaLaSolidaridad" (Rroftë solidariteti midis popujve), shkroi ai Twitter të dielën.
Ankorimi i cisternave përkon me një mungesë të rëndë të karburantit që është përkeqësuar gjatë karantinës së COVID-19 në Venezuelë. Prodhimi i naftës ka rënë në rreth 600 mijë fuçi në ditë nga 3 milionë fuçi në ditë sa ishte një dekadë më parë, sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), anëtare e së cilës është dhe Venezuela.
Ardhja e pjesës tjetër të cisternave do të bëhet brenda ditëve në vazhdim.
"Venezuela ka miq në këtë botë dhe miq të guximshëm që qëndrojnë pranë atdheut tonë, Venezuelës!", tha Maduro duke falënderuar presidentin iranian, Hassan Rouhani dhe liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei për mbështetjen e tyre.