Muhammed Yasin Güngör
19 tetor 2026•Përditësim: 19 tetor 2026
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Carl Skau, e përshkroi si “brutale” jetën në Rripin e Gazës të shkatërruar nga gjenocidi izraelit, ndërsa po ashtu paralajmëroi për krizë urie në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë informuese të OKB-së, Skau tha se agjencia do të përpiqet të bëjë rotacionin e ndihmave ushqimore, në vend që t’ua ndërpresë plotësisht ndihmën 500 mijë personave, duke u dhënë përparësi më të cenueshmëve.
Deklarata e tij erdhi pasi WFP-ja njoftoi më herët se mungesat e fondeve e kanë detyruar atë të shkurtojë ndihmën ushqimore në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
Skau theksoi se shkurtimet janë shkaktuar vetëm nga mungesa e fondeve dhe jo nga pengesat në shpërndarjen e ndihmave apo nga rënia e nevojave.
“Dua të jem i qartë: Kjo nuk ndodh sepse nevojat po zvogëlohen dhe as sepse nuk jemi në gjendje të sjellim ushqime. Kjo ndodh vetëm sepse kemi më pak fonde”, tha ai, duke vënë në dukje se WFP-ja kishte regjistruar vetëm tri raste të ndërhyrjes në dërgesat e ndihmave gjatë gjithë luftës.
Ai paralajmëroi se jeta në Gaza mbetet “absolutisht brutale”, ndërsa ekipet e OKB-së regjistrojnë deri në 50 incidente të sigurisë në ditë dhe UNICEF-i raporton se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit vitin e kaluar, çdo ditë janë vrarë mesatarisht nga një fëmijë.
Skau tha gjithashtu se dërgesat tregtare janë ndërprerë për pesë ditë, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ai bëri thirrje për heqjen e kufizimeve izraelite ndaj disa materialeve të ashtuquajtura me “përdorim të dyfishtë”, të nevojshme për strehimin, furnizimin me ujë dhe kanalizimet.
Duke iu referuar Bregut Perëndimor të pushtuar, ai paralajmëroi se po shfaqet një krizë urie, ndërkohë që territori palestinez vazhdon të përballet edhe me një “krizë të të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes”.
“Para së gjithash, kjo mbetet një krizë e të drejtave të njeriut dhe e mbrojtjes, por tani po shndërrohet gjithashtu në një krizë urie, sepse pasiguria ushqimore është më shumë se dyfishuar gjatë tri viteve të fundit”, tha Skau.
“Pothuajse një milion palestinezë tani kanë nevojë për ndihmë ushqimore, e megjithatë edhe në Bregun Perëndimor jemi të detyruar të shkurtojmë ndihmën”, tha ai, duke shtuar se sulmet e kolonëve izraelitë vetëm gjatë dy javëve të para të sezonit të ndjeshëm të vjeljes së ullinjve “tashmë e kanë tejkaluar numrin e përgjithshëm të regjistruar gjatë gjithë vitit të kaluar”.