Xhamia Mutellib Han, trashëgimia e rrallë e ilhanidëve dhe kaxharëve në Iran
Xhamia Mutellib Han, e cila është restauruar në periudha të ndryshme, u përfshi më 19 mars 2000 në Listën Kombëtare të Monumenteve të Iranit
Tolga Akbaba
17 tetor 2026•Përditësim: 17 tetor 2026
photo: Tolga Akbaba / AA
Teheran
Xhamia Mutellib Han, e cila ndodhet në qytetin Khoy, në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor të Iranit, u ndërtua gjatë periudhës së ilhanidëve (1256-1353). Ajo mori pamjen madhështore që ka sot pas rindërtimit të pjesëve të shkatërruara gjatë periudhës së dinastisë kaxhare, transmeton Anadolu.
Xhamia Mutellib Han, e cila dallohet mes xhamive të Iranit për mihrabin 12,5 metra të lartë, portikun 15 metra të gjatë dhe ivanin 25 metra të lartë, ruan veçori të veçanta arkitekturore.
Xhamia, muret e brendshme dhe të jashtme të së cilës janë ndërtuar me tulla të vendosura në formacione gjeometrike, por pa motive dekorative, tërheq vëmendjen me hapësirën e faljes në formë katrore dhe arkitekturën dykatëshe.
Pjesa e sipërme e mihrabit është zbukuruar me ornamente gjeometrike prej allçie (mukarnas), ndërsa në katin e dytë ndodhen hapësira të veçanta për gratë, të ndara me parmakë druri.
Në të kaluarën, në këtë xhami zhvillohej edhe mësim fetar për studentët. Kati i dytë mund të arrihet përmes shkallëve që ndodhen në katër cepat e ndërtesës.
Xhamia mori formën e saj përfundimtare nga Mutellib Han, kryekujdestari i argjendarisë së Abbas Mirzas, trashëgimtarit të fronit të sundimtarit kaxhar Feth Ali Shah. Xhamia nuk ka kupolë, ndërsa përpara hapësirës së faljes ndodhet një oborr i gjerë me një pishinë dekorative.
U projektua sipas modelit të xhamive të para të Islamit
Sipas gojëdhënave, arsyeja kryesore e ndërtimit të xhamisë pa kupolë lidhet me faktin se xhamitë e para në kohën e Profetit Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ishin pa çati.
Thuhet se edhe Xhamia Mutellib Han u projektua sipas këtij koncepti, duke marrë si model xhamitë e para të Islamit.
Ndërkohë, për të parandaluar ndikimet negative të kushteve klimatike, më vonë xhamisë iu shtua një kupolë e lëvizshme prej metali të lehtë, me hapësirë prej 18 metrash.
Xhamia Mutellib Han, e cila është restauruar në periudha të ndryshme, u përfshi më 19 mars 2000 në Listën Kombëtare të Monumenteve të Iranit.
Xhamia Mutellib Han, trashëgimia e rrallë e ilhanidëve dhe kaxharëve në Iran