Ekip
06 Mars 2017•Përditësim: 07 Mars 2017
NAIROBI (AA) – Aktori më i popullarizuar danez, i cili aktualisht luan në serialin “Game of Thrones”, Nikolaj Coster-Waldau (46), po qëndron në Kenia, në një mision për ti treguar botës për varfërinë në atë shtet, njëherësh të promovojë edhe barazinë gjinore, raporton Anadolu Agency (AA).
I njohur për rolin e Jamie Lannister në serialin e popullarizuar amerikan, Coster-Waldau ka mbërritur për një vizitë dy ditore në Kenia, në mënyrë që të përkrah fushatën e Kombeve të Bashkuara “17 Qëllimet Globale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ndërkombëtar deri në vitin 2030.
Në cilësi të ambasadorit të ri të UNDP-së për Vullnet të Mirë, ai mori pjesë në turneun e futbollit të femrave, në mënyrë që të përkrah forcimin e pozitës së tyre në shoqëri.
Në një bashkëbisedim me AA, ai tha se ka ardhur në Nairobi për të luftuar, por jo si në serinë "Game of Thrones", ku zakonisht vesh mburojën nga çeliku, por duke përdorur ndikimin e tij si aktor, në luftën për një të ardhme më të mirë për gratë dhe vajzat.
“Jam këtu në mënyrë që të luftoj kundër këtyre gjërave të cilat mund të na pengojnë drejt realizimit të synimeve tona, ndërsa këtu janë edhe varfëria, pabarazia dhe ngritja e vetëdijes për mbrojtjen e planetit tonë. Ajo çfarë më pëlqen në konceptin e qëllimeve strategjike globale është mënyra e zgjidhjes së problemeve të mëdha me të cilat përballemi. Nxjerrja e njerëzve nga varfëria është në interesin e secilit njeri, sepse nëse jeni të uritur si do të mund të mbani familjen apo vendin tuaj?, pyet aktori danez.
Lajm i mirë është, siç tha ai, fakti se për çdo ditë mbi 250.000 njerëz dalin nga varfëria ekstreme, por insiston se bota mund të bëjë shumë më tepër.
Coster-Waldau shtoi më tej se me padurim e pret ditën kur ndryshimet klimatike, dhuna gjinore, pabarazia dhe varfëria do të jetë një e kaluar, pasi siç tha se deri në vitin 2030 bota do të arrijë objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të cilat udhëheqësit botëror i dakorduan në vitin 2015.
Mijëra fansa të tij u mblodhën në turneun për të parë aktorin e preferuar dhe me shpresën që "Jamie" tu zbulojë atyre të paktën disa detaje të sezonit të ri të serisë televizive amerikane.
Megjithatë, aktori danez nuk u dorëzua, duke theksuar se nuk do të zbulojë të ashtuquajturit "spoiler".
Turneu, i cili u mbajt të dielën në Nairobi, respektivisht Kupa e Botës për Qëllime Strategjike (FFWCup), i cili luhet me sistemin knock-out, filloi në Kopenhagë në vitin 2016 me qëllim të nxjerrë në pah fuqinë e sportit në ndryshimin e botës.
Finalja e madhe do të mbahet në New York City në shtator.