Faisal Mahmud
13 gusht 2026•Përditësim: 13 gusht 2026
Zelanda e Re dhe Vietnami kanë rënë dakord për masa të reja për të çuar përpara Partneritetin e tyre Gjithëpërfshirës Strategjik, me fokus në bashkëpunimin tregtar, bujqësi, siguri dhe teknologji, tha sot Wellingtoni, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon dhe presidenti i Vietnamit, To Lam ranë dakord për pesë rezultate që përfshijnë bashkëpunimin bujqësor, aksesin në treg, arsimin, mbrojtjen dhe bujqësinë e zgjuar ndaj klimës, sipas një deklarate nga qeveria e Zelandës së Re.
"Kjo vizitë ka qenë për të vënë në punë partneritetin tonë dhe për të ofruar përfitime për të dy vendet", tha Luxon.
Të dy udhëheqësit diskutuan për rritjen e tregtisë dhe investimeve dypalëshe, uljen e barrierave tregtare dhe zgjerimin e bashkëpunimit në shkencë dhe teknologji, ruajtjen e paqes, sigurinë detare dhe përpjekjet kundër krimit transnacional.
Një paketë bujqësore do të zgjerojë aksesin dypalësh në treg, përfshirë produktet e mjaltit dhe drerit të Zelandës së Re dhe lulet dhe gjethet e prera vietnameze.
Të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin në bujqësinë e zgjuar ndaj klimës, duke u bazuar në programe që Wellingtoni vuri në dukje se kanë rritur fitimet e fermerëve, duke ulur emetimet nga prodhimi i orizit me 50 për qind.
Luxon tha se marrëveshjet kanë vendosur "një drejtim të qartë" për marrëdhëniet dypalëshe gjatë dekadës së ardhshme. Udhëtimi i To Lam shënon vizitën e parë shtetërore në Zelandën e Re nga një president vietnamez që nga viti 2007.