Davit Kachkachishvili
05 Janar 2023•Përditësim: 05 Janar 2023
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se kanë nevojë për ndihmë me armë për t‘i dhënë fund këtë vit luftës kundër Rusisë që vazhdon në vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në faqen e internetit të Presidencës së Ukrainës, është ndarë një video-mesazh i Zelenskyy-t.
Në fjalën e tij Zelenskyy bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe se Franca do të dërgojë në vendin e tij tanke me rrota.
Ai vuri në dukje rëndësinë e kësaj mbështetjeje me armë dhe tha se në luftën kundër Rusisë kanë nevojë për ndihma të tilla.
Duke tërhequr vëmendjen se ndihma me armë ndaj Ukrainës është e rëndësishme edhe për sigurinë e Evropës, Zelenskyy deklaroi: "Këtë vit duhet t‘i jepet fund agresionit rus dhe është e domosdoshme të mos vonohet asnjë prej mundësive të mbrojtjes që mund të përshpejtojnë humbjen e shtetit terrorist".
Rusia po përgatitet për valën e re të sulmeve kundrejt Ukrainës, pretendoi Zelenskyy, i cili shtoi se lidhur me çështjen ka informuar liderët e disa vendeve.
Zelenskyy theksoi se qëllimi i vërtetë i tyre është të çlirojnë të gjitha territoret e Ukrainës dhe që të sigurojnë sërish paqen në kohën më të shpejtë të mundshme në vendin e tij.
Duke mbrojtur idenë e tij se Rusia kishte planifikuar që të merrte nën kontroll plotësisht rajonin Donbas të Ukrainës deri në fund të vitit të kaluar, Zelenskyy më tej tha se forcat e armatosura të Ukrainës nuk lejuan përparimin e armikut në këtë rajon.
Zelenskyy u shpreh gjithashtu se ushtria ruse vazhdon të rrisë praninë e saj ushtarake në rajonin Donetsk.