Mahmoud Barakat
25 Janar 2017•Përditësim: 25 Janar 2017
BAGDAD (AA) - Kleriku shia i Irakut, Muqtada al-Sadr, ka denoncuar planet e Presidentit së SHBA Donald Trump për zhvendosjen e ambasadës së SHBA-së në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem, duke thënë se ky hap paraqet "shpallje të luftës ndaj Islamit", raporton Anadolu Agency (AA).
Trump, gjatë fushatës së tij elektorale ka premtuar se do të zhvendosë ambasadën e SHBA-së nga Tel Aviv në Jerusalem, pavarësisht ngurrimit për një hap të tillë nga administratat e kaluara, si republikane ashtu edhe demokrate.
"Nëse zhvendoset ambasada, kjo do të jetë shpallje e luftës ndaj Islamit", tha al-Sadr, në një deklaratë të martën.
Nëse është kështu, "kjo do të kërkojë formimin e një force për të çliruar Jerusalemin", tha ai pa dhënë hollësira të mëtejshme.
Udhëheqësi fetar irakian vazhdoi duke i bërë thirrje vendeve islamike që të mbyllin ambasadat e SHBA-së dhe Izraelit në vendet e tyre, nëse Washingtoni zyrtar lëviz selinë e tij diplomatike në Jerusalem. "Kjo gjithashtu do të thotë se ambasada e SHBA-së në Irak duhet të mbyllet menjëherë", tha ai.
Izraeli pretendon se qyteti është "kryeqendra e tyre e përjetshme" pas pushtimit të Jerusalemit Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk i ka pranuar këto pretendime dhe ambasadat e huaja aktualisht janë në Tel Aviv.
Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka "asnjë vendim" për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem, duke thënë se bisedimet për zhvendosjen e saj ishin "në faza shumë të hershme".
Më herët gjatë këtij muaji, ligjvënësit republikan prezantuan legjislacionin për zhvendosjen e ambasadës dhe të njohin Jerusalemin si kryeqytet i Izraelit.