Zehra Ulucak
03 Shtator 2019•Përditësim: 04 Shtator 2019
Numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e një një zjari në një anije zhytjeje në brigjet e Kalifornisë Jugore në SHBA është rritur në 25 ndërsa Roja Bregdetare tha se po vazhdojnë kërkimet për 9 persona të zhdukur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Matthew Kroll, nga njësia e Rojes Bregdetare të SHBA-ve ka bërë të ditur se si pasojë e një zjarri në një anije zhytjeje kanë humbur jetën 25 persona ndërsa janë shpëtuar 5 persona të ekuipazhit të cilët gjatë zjarrit ndodheshin në kuvertën e anijes. Vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për 9 persona të tjerë.
- Anija është përfshirë nga zjarri në afërsi të ishullit Santa Cruz
Zëdhënësja e njësisë së Rojes Bregdetare të SHBA-ve, Monica Rochester deklaroi se në anije ndodheshin 39 persona nga të cilët 33 udhëtarë dhe 6 të ekuipazhit. Anija në fjalë ishte përfshirë nga zjarri për shkaqe ende të panjohura.
Ajo tha se anija e zhytjes "Conception" me një gjatësi 23 metra është përfshirë nga zjarri rreth 32 kilometra në largësi të tokës në afërsi të ishullit Santa Cruz. "Një zjarr është gjëja e fundit që mund të duam në një anije, për këtë arsye duhet të jemi të përgatitur për situatën më të keqe", tha Rochester.
Në mediat amerikane pretendohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e shpërthimit të një bombole me gaz propan në anijen e cila është përmbytur. Por, autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar shpërthimin e bombolës.