Merve Berker
02 Prill 2025•Përditësim: 09 Prill 2025
Zjarrfikësit e Kalifornisë po luftojnë me një zjarr që kërcënon Pyllin e Lashtë të Pishave “Bristlecone”, ku gjendet “Methuselah”, një pemë gati 5.000-vjeçare që konsiderohet më e vjetra në botë, transmeton Anadolu.
Zjarri “Silver”, i cili filloi të dielën, ka djegur rreth 6,5 kilometra katrorë në vargmalin lindor Sierra Nevada, duke shkaktuar urdhra evakuimi për disa komunitete, raportoi “Los Angeles Times”.
Deri mbrëmjen e së martës, kontrolli i zjarrit arriti në 60 për qind, sipas përditësimit të fundit nga “Cal Fire”.
Megjithëse zjarrfikësit kanë bërë përparim, Chloe Castillo, zyrtare e informacionit publik për Cal Fire, ka thënë për “USA Today” të martën se zjarri mbetet “kërcënim aktiv për Pyllin e Lashtë të Pishave Bristlecone”.
Methuselah, pisha më e famshme e pyllit, nuk është konfirmuar se është në rrezik të menjëhershëm, por zyrtarët po mbajnë paralajmërimet e evakuimit për shkak të parashikimit të erërave të forta në zonë.
Jetëgjatësia e jashtëzakonshme e pemës së lashtë i atribuohet kushteve të vështira, duke përfshirë motin ekstrem dhe tokën e varfër me lëndë ushqyese, të cilat ngadalësojnë procesin e kalbjes natyrore.
Cal Fire tha se zjarri, pranë kufirit të Nevadës, vazhdon të kërcënojë “strukturat, infrastrukturën kritike dhe speciet e rrezikuara”.
Ekipet e zjarrfikësve janë përballur me të ftohtin ekstrem dhe erërat e fuqishme, duke komplikuar përpjekjet.
“Ka qenë një luftë shumë e ashpër”, tha Castillo.
Përpjekjet ajrore për shuarjen e zjarrit kanë qenë të kufizuara për shkak të dukshmërisë së dobët nga tymi dhe kushteve të paqëndrueshme të erës.
Shkaku i zjarrit është duke u hetuar.