Agon Fehmiu
23 Dhjetor 2015•Përditësim: 23 Dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) – Në krahasim me vitin 2014, vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë, deri në fund të vitit 2015 pritet të dyfishohet dhe të jetë edhe më e lartë se në vitet 2012 dhe 2013, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (MTI), Hykmete Bajrami, gjatë konferencës së sotme për media ku ka prezantuar raportin vjetor të punës së dikasterit që e udhëheq ajo, raporton Anadolu Agency (AA).
“Sipas të dhënave nga Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja direkte në periudhën janar – shtator 2015 janë mbi 260 milionë euro, që paraqet një rritje të konsiderueshme krahasuar me 3 vitet e fundit 2012-2014. Gjatë këtij viti janë regjistruar 428 biznese me pronarë të huaj, përderisa vitin e kaluar ky numër ishte vetëm 278. Rritje në regjistrim kemi edhe te kompanitë vendore. Derisa shuarjet e bizneseve kanë shënuar trend më të ulët krahasuar me tri vitet e kaluara”, deklaroi ministrja Bajrami.
Si sukses të madh, MTI-ja ka theksuar zvogëlimin dhe eliminimin e shumicës së taksave dhe pagesave për shërbimet e ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion ky i cili në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, ka punuar rreth funksionalizimit të plotë të sistemit të integruar për regjistrimin e bizneseve.
Ministrja Bajrami tregoi se gjatë vitit 2015, MTI ka punuar edhe në aspektin e funksionalizimit të Zonave të Lira Ekonomike, në rajone të ndryshme të Kosovës.
“Janë finalizuar punët në Parkun e Biznesit në Drenas. Për Zonën Ekonomike në Mitrovicë, gjatë vitit 2015 janë ndarë 200 mijë euro për të investuar në nivelizimin e terrenit në këtë zonë. Për punime në Zonën Ekonomike të Shtimes, në pjesën e parë të vitit MTI ka ndarë 100 mijë euro për ndërtimin e infrastrukturës. Sivjet është krijuar edhe Zona Ekonomike në Suharekë dhe Agrozona Industriale në Samadraxhë, për çka janë ndarë 110 mijë euro, për ndërtim të infrastrukturës. MTI i ka ndarë komunës së Istogut 70 mijë euro për të përkrahur ndërtimin dhe renovimin e një qendre të dedikuar për Inkubator të Biznesit në Komunën e Istogut", tha mes tjerash ministrja Bajrami.
Ndër të arriturat e veçanta, është përmendur edhe riaktivizimi i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE) që, sipas Bajramit, është platforma më e rëndësishme e dialogut publik-privat për çështje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe përpilimi i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, Programit të Reformave Ekonomike, Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes.
Krejt në fund, për realizimin e buxhetit dhe projekteve kapitale zhvillimore të MTI-së, gjatë vitit 2015, ministrja Bajrami deklaroi se deri në fund të vitit pritet që MTI të realizoj rreth 95 përqind të buxhetit vjetor që kap shumën prej 5.3 milionë euro, ndërsa ka rritur edhe rezervat shtetërore në grurë, miell, naftë-dizel si dhe produkte agro-ushqimore për 400 mijë euro. Vlera paraprake e rezervave ka qenë 700 mijë euro.