Tuba Şahin
11 Mars 2020•Përditësim: 12 Mars 2020
Banka e Anglisë (BoE) sot ndërmori masa për të ndihmuar bizneset dhe familjet në Britani të Madhe për të tejkaluar pengesat e mundshme ekonomike për shkak të koronavirusit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një takim të veçantë, Komiteti i Politikës Monetare të Bankës (MPC) vendosi të ul normën e saj bankare me 50 pikë bazë në 0.25 për qind nga 0.75 për qind, për herë të parë që nga gushti i vitit 2016.
BoE prezantoi një skemë të re të financimit stimulues shtesë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të financuara nga rezervat e Bankës qendrore.
Komiteti votoi unanimisht për të ruajtur aksionet e blerjeve të bonove të qeverisë britanike, të financuara nga rezervat e bankës qendrore, me 435 miliardë paund (562 miliardë dollarë).
Masa synon të mbajë firmat në biznes dhe njerëzit në punë dhe të ndihmojë në parandalimin e një ndërprerjeje të përkohshme që mund të shkaktojë një dëm ekonomik afatgjatë.
Javën e kaluar, duke potencuar rritjen e rrezikut për shkak të virusit, Rezerva Federale e SHBA-së uli normën e saj të interesit me 50 pikë bazë në normën 1-1,25, ulja më e madhe që nga kriza financiare e vitit 2008.
Koronavirusi, i njohur zyrtarisht si Covid-19, u zbulua për herë të parë dhjetorin e kaluar në qytetin Wuhan të Kinës.
Numri global i vdekjeve nga virusi është rritur në mbi 4.260 persona me më shumë se 118.100 raste të konfirmuara.
Virusi është përhapur në gjashtë kontinente dhe në më shumë se 100 vende.