Ata Ufuk Şeker
19 Janar 2021•Përditësim: 19 Janar 2021
Shitja e përgjithshme në tregun e automobilave të Bashkimit Evropian (BE) ka shënuar rënie në vitin 2020 për 23m7 për qind në raport me vitin paraprak, për shkak të pasojave të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Shoqata evropiane e prodhuesve të automobilave (ACEA) publikoi të dhëna të reja mbi regjistrimin e automobilave në vitin 2020 në vendet e BE-së.
Regjistrimi i automobilave të reja në BE është ulur për 23,7 për qind në vitin 2020 në krahasim me vitin e kaluar, dhe ka rënë në 9.942.509.
Në këtë mënyrë shitja e automobilave, që në vitin 2019 arriti në më shumë se 13 milionë, ka rënë për më shumë se 3 milionë në vitin 2020 për shkak të masave të aplikuara në luftën kundër pandemisë.
Shitja e automobilave të reja në BE ka rënë për 3,3 për qind në dhjetor të vitit 2020, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019, ndërsa arriti në 1.031.070.
Rënia e shitjeve të automobilave në vendet e BE-së në vitin 2020, krahasuar me vitin e kaluar është si në vijim:
"Kroacia (42,8 për qind), Bullgaria (36,8), Portugalia (35), Spanja (32,3), Estonia (29,5), Greqia (29), Italia (27,9), Franca (25,5 për qind), Austria (24,5), Belgjika (21,5), Hollanda (19,5) dhe Gjermania (19,1)".
Midis 27 vendeve anëtare të BE-së, më së shumti automobila të reja në vitin 2020 u shitën në Gjermani. Gjatë periudhës në fjalë, 2.917.678 makina të reja u regjistruan në Gjermani, 1.650.118 në Francë, 1.381.496 në Itali dhe 851.211 në Spanjë.