İhvan Radoykov
08 Nëntor 2015•Përditësim: 09 Nëntor 2015
SOFJE (AA) - Për shkak të masave shtrënguese që qeveria e Bullgarisë ka planifikuar të ndërmarrë në kompensimet e rrogave dhe pensioneve të punonjësve në sektorin e sigurisë, mijëra persona punonjës të sektorëve të sigurisë në Sofje kanë mbajtur në protestë kundër qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Policë, punonjës të zjarrfikëses, gardianë burgu, punonjës të shërbimeve inteligjente të ardhur nga të katër anët e vendit me autobusë para Parlamentit kanë protestuar duke brohoritur dhe mbajtur slogane.
Në të gjithë vendin ka patur reagime ndaj iniciativave të qeverisë e cila nuk është konsultuar me sindikatat në këtë sektor në lidhje me projektligjin e buxhetit për të hequr të drejtën e kompensimit me 20 paga e cila parashikohet t’iu paguhet punonjësve të sigurisë në rastet e pensionit apo të dorëheqjes.
Protestat të cilat u nisën nga 7 drejtori të ndryshme nën vartësinë e Ministrisë së Brendshme dhe vazhduan për të mbrojtur të drejtat e tyre duke penguar trafikun në qytete të ndryshme të vendit, këtë të dielë janë shndërruar në një miting të madh në kryeqytet.
Për shkak të protestave të cilat përbëjnë rrezik në sigurinë kombëtare të Bullgarisë ministrja e Brendshme, Rumyana Bachvarova para mitingut njoftoi se është tërhequr rregullorja e cila parashikon heqjen e pagesave të kompensimeve kolektive.
Pavarësisht deklaratave të saj protestuesit nuk kanë hequr dorë nga protesta e tyre dhe para Parlamentit i kanë bërë thirrje qeverisë për dorëheqje.
Në miting kanë mbajtur fjalime përfaqësues të sindikatave ku kanë deklaruar se për vite me radhë ndaj punonjësve në këtë sektor zbatohen standarde të dyfishta dhe se atyre nuk iu ka mbetur besim te kushdo që ndodhet në pushtet. Gjatë mitingut kanë brohoritur me slogane për "dorëheqje" kundër qeverisë.
Ndërsa theksohet se Ministria e Brendshme ka marrë masa të sigurisë duke vendosur një numër të madh të xhandarmërisë dhe të policisë në qytet. Mësohet gjithashtu se para mitingut janë ndaluar 10 persona me arsyen se kanë planifikuar provokime dhe se mitingu më pas është shpërndarë pa incidente.