Bahattin Gönültaş
14 Prill 2021•Përditësim: 14 Prill 2021
Rezultatet e anketës nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) treguan se evropianët duan që euro dixhitale të jetë konfidenciale, e sigurt dhe e lirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
BQE publikoi rezultatet e anketës së saj mbi "euron e mundshme dixhitale".
Sipas anketës, qytetarët dhe kompanitë në zonën e euros presin që "sekreti i pagesës" të jetë një prioriteti kryesor kur paguajnë me monedhën dixhitale.
Gjithsej 43 për qind e të anketuarve, besojnë se sekreti, përkatësisht konfidencialiteti, duhet të jetë karakteristika më e rëndësishme e euros dixhitale potenciale kur paguan.
Rezultatet treguan se 18 për qind e të anketuarve zgjodhën sigurinë si një tipar të rëndësishëm, 11 për qind akses në monedhën dixhitale në të gjithë Evropën dhe 9 për qind opsionin pa shpenzime shtesë gjatë përdorimit të euros dixhitale.
Gjithashtu, të anketuarit në anketën e BQE-së duan që euro dixhitale të integrohet në të gjithë sistemin bankar. Gjysma e të anketuarve mbështetën kufizimin e sasisë së eurove dixhitale që çdo qytetar mund të zotërojë.
Anëtari i Bordit të BQE-së, Fabio Panetta tha se euroja dixhitale mund të ishte e suksesshme nëse u përgjigjej nevojave të evropianëve. "Ne do të bëjmë çmos për të përmbushur nevojat e qytetarëve që e kanë shprehur qartë edhe në anketë", tha Panetta.
Anketa e BQE-së rreth "euros dixhitale" u zhvillua midis 12 tetorit 2020 dhe 12 janarit 2021.
Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, më 13 janar 2021 deklaroi se do të merrte të gjitha masat e nevojshme për të pasur një euro dixhitale.
"Shpresoj se nuk do të na duhen më shumë se 5 vjet për ta bërë këtë. Do të duhet pak kohë për të kuptuar se kjo është një zgjidhje logjike", tha Lagarde.