Musab Turan,Yunus Türk,Ali Atar
18 Shkurt 2019•Përditësim: 19 Shkurt 2019
STAMBOLL (AA) - Në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, ka nisur Forumi Botëror i Investitorëve Engjëj (World Business Angels Investment Forum-WBAF), i cilësuar si komuniteti më i madh në botë i investimeve fillestare dhe tregjeve kapitale, në të cilin merr pjesë edhe Kosova, e përfaqësuar nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, raporton Anadolu Agency (AA).
WBAF, në të cilin AA është "Partner Global i Komunikimit", do të bashkojë qindra financues biznesesh të njohur si "investitorë engjëj".
Hapja e forumit u realizua me pjesëmarrje të ministrave dhe burokratëve nga shumë vende, përfshirë ministrin turk të Rinisë dhe Sportit, Mehmet Muharrem Kasapoğlu, presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në forum takohen përfaqësuesit e bursave kryesore të botës, menaxherë të fondeve të aseteve, përfaqësues të fondeve të përbashkëta investitore, aksionerë të trusteve, përfaqësues të njësive të bankave private, menaxherë të parqeve teknologjike dhe drejtues ekzekutivë (CEO) të kompanive ndërkombëtare me vlerë mbi 100 milionë dollarë.
Gjatë organizimit, ekspertët do të trajtojnë temat si investitorët engjëj në botë, mekanizmat e financimit masiv dhe pozicionimi i investitorëve engjëj në ekonominë e re globale.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se rëndësia e sipërmarrësisë në botë dhe ajo e komunikimit dhe bashkëpunimit midis palëve ka filluar të kuptohet më mirë.
- "WBAF vazhdon me punët e suksesshme"
Ndërkaq, presidentja kroate, Kitaroviç, tha se WBAF ka bërë një punë të rëndësishme për rritjen e bashkëpunimit midis aktorëve të ekonomisë globale.
"WBAF me të vërtetë më nderoi mua dhe vendin tim duke hapur një zyrë në Kroaci. WBAF vazhdon me punët shumë të suksesshme në drejtim të forcimit të punësimit duke bashkuar shumë investitorë dhe sipërmarrës në Kroaci", tha Kitaroviç.
Ajo lavdëroi Turqinë, duke theksuar se vendi "bën punë të mira duke luftuar terrorizmin, duke mbështetur refugjatët dhe duke forcuar investitorët e saj".
Kitaroviç theksoi nevojën për orientim në resurse dhe modele alternative të biznesit në ekonominë e vendit të saj dhe atë globale.
"Kompanitë tona të mëdha janë makinat e ekonomisë sonë. Ne duhet të ofrojmë më shumë alternativa ndaj tyre nëse duam që këto kompani të bëjnë më shumë. Si WBAF, ju keni përgjegjësinë të nxjerrni sipërmarrës të cilët do të ruajnë dhe do të vazhdojnë ekonominë e ardhshme. Kjo është një përgjegjësi shumë e rëndësishme. Krahasuar me vendet e tjera në rajon, ne kemi një përparësi. Që nga viti 1993, ne kemi tërhequr shumë investitorë nga vende të ndryshme të botës. Investitorët turq gjithashtu investojnë në rajonin tonë. Mesazhi im më i rëndësishëm është që Kroacia është një vend i hapur për investime. Është detyra jonë të hapim dyert për të gjithë investitorët dhe sipërmarrësit dhe të krijojmë një mjedis investimi për ta", shtoi presidentja kroate.
Ndërkaq, kryetari i WBAF, Baybars Altuntaş, shprehu kënaqësi për pritjen e vendimmarrësve kryesorë të botës në Stamboll dhe tha se gjatë këtyre dy ditëve të organizimit do të shkëmbejnë ide për të krijuar vlera së bashku.
Ai rikujtoi se Turqia është pjesë e rajonit ku është shpikur paraja dhe shtoi se Stambolli shquhet si një nga qendrat kryesore tregtare të botës.