Aysu Biçer
13 Tetor 2021•Përditësim: 13 Tetor 2021
Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë (Destatis) ka publikuar një raport sipas të cilit inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit në Gjermani ishte në 4,1 për qind në muajin shtator, duke qëndruar pothuajse i pandryshuar në krahasim me gushtin, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në korrik dhe gusht, inflacioni ishte pak më i ulët se 4 për qind. Një normë më e lartë inflacioni u mat për herë të fundit në dhjetor të vitit 1993 (+4,3 për qind)", thuhet në raportin e Destatis.
"Shkalla përkatëse e inflacionit u rrit për muajin e tretë me radhë. Kjo ishte në thelb për shkak të efekteve bazë, pasi ne krahasojmë çmimet aktuale me çmimet shumë të ulëta të një viti më parë", tha Christoph-Martin Mai, kreu i Seksionit të Çmimeve të Konsumatorit në Zyrën Federale të Statistikave.
Ai theksoi se në produktet e sektorit të energjisë kishte efekt taksa për CO2 që filloi të zbatohet në fillim të vitit, duke rritur çmimet në këtë sektor.
"Rritjet e çmimeve u regjistruan në naftën për ngrohje (+76,5 për qind) dhe karburantet motorike (+28,4 për qind). Çmimet e gazit natyror (+5,7 për qind) dhe energjisë elektrike (+2,0 për qind) gjithashtu u rritën", tha ai.