Ekip
21 Shkurt 2017•Përditësim: 21 Shkurt 2017
ATHINË (AA) – Qeveria e Greqisë bëri të ditur se gjatë takimit të mbrëmshëm të Eurogrupit në Bruksel, ka arritur një marrëveshje me kreditorët evropianë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin qeveritar, përfaqësuesit e institucioneve huadhënëse do të kthehen në Athinë javën e ardhshme në mënyrë që të kompletojnë marrëveshjen teknike.
“Nuk do të ketë më masa shtrënguese”, njofton qeveria greke e cila thotë se pala greke ka pranuar që reformat e miratuara të fillojnë të zbatohen nga data 1.1.2019 e tutje, duke garantuar se bilanci fiskal do të jetë absolutisht neutral.
Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, në një deklaratë për mediat pas takimit të mbrëmshëm ka thënë se është "shumë i lumtur nga epilogu i takimit".
Sipas tij, programi i shpëtimit do të pësojë ndryshime, duke vënë theksin në transferimin nga modeli i shtrëngimit në atë të reformave.
Dijsselbloem tha se përfaqësuesit e institucioneve do të punojnë me autoritetet greke mbi një pako shtesë të reformave strukturore në sistemin e tatimeve, të pensioneve dhe rregullimin e tregut të punës.
Të hënën Greqia pagoi këstin prej 2 miliardë euro në adresë të Mekanizmit Evropian për Stabilitet, njoftoi drejtori i këtij mekanizmi Klaus Regling.
“Pagesa e shpejtë tregon se Greqia është një partner i besueshëm. Kjo është një shenjë se ristrukturimi i sektorit bankar grek po ecën mirë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me Greqinë gjatë pjesës së mbetur të programit”, shtoi Regling.