Ivana Ramadanova
27 Maj 2016•Përditësim: 28 Maj 2016
SHKUP (АА) - Gratë sipërmarrëse nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova sot në Shkup mbajtën konferencë në të cilën biseduan për sfidat me të cilat përballen në mirëmbajtjen e ndërmarrjeve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas organizatorëve, konferenca është në kuadër të programit për përforcimin e kapaciteteve të grave sipërmarrëse nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova me theks mbi bizneset inovative.
“Nga nëntori e deri më sot kemi implementuar projekt rajonal në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Nga këto vende kemi gjithsej 20 gra sipërmarrëse nga ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Qëllimi i këtij projekti është që të shikojmë në organizatat, ndërmarrjet dhe aftësitë tona që ne si individ i kemi që të mund të avancojmë biznesin tonë”, tha Karen Komarat, një nga organizatoret holandeze.
Më tej ajo shtoi se këto gjashtë muaj kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe me këtë siç u shpreh ajo, “pjesëmarrësit tanë ndjehen shumë më të sigurtë ”.
Pjesëmarrëset patën mundësi që të qëndrojnë në Holandë, ku më shumë se gjysma tashmë realizuan bashkëpunim me ndërmarrje dhe kompani të këtij vendi.
Një nga rezultatet më të mëdha është ndërtimi i rrjetit të sipërmarrësve i cili edhe më tej do të vazhdojë të funksionojë.