Sibel Morrow
12 Maj 2021•Përditësim: 12 Maj 2021
Kërkesa globale e naftës parashikohet të rritet 6 për qind këtë vit bazuar në pritjet që fushatat e vaksinimit të vazhdojnë me ritëm të shtuar dhe pandemia kryesisht të vihet nën kontroll, tha sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke u tkurrur me 8.7 milionë fuçi në ditë në vitin 2020, kërkesa globale e naftës vlerësohet të rritet me 5.4 milionë fuçi në ditë në një mesatare prej 96.4 milionë fuçi në ditë, theksoi IEA në raportin e saj mujor të naftës.
Agjencia paralajmëroi se rimëkëmbja e kërkesës globale për naftë mbetet e brishtë pasi rritja e rasteve me COVID në Indi dhe Tajlandë zbehin tendencat e fundit pozitive në Evropë dhe SHBA.
Duke theksuar se konsumi vazhdon të jetë më i ulët se në fund të vitit 2020, EIA tha se rënia reflekton në një masë të madhe modelet sezonale dhe shpërthimet e COVID të regjistruara në Brazil, Indi dhe Evropë, si dhe moti i acartë me akull në shkurt në SHBA kontribuoi në ngadalësimin e rimëkëmbjes së kërkesës globale.
Në 2021, konsumi më i lartë parashikohet të jetë në rajonin e Azisë-Paqësorit me 35.8 milionë fuçi në ditë, e ndjekur nga Amerika Veriore dhe Jugore me 30.2 milionë fuçi dhe Evropa me 13.8 milionë fuçi.
Furnizimi global në rritje
IEA tha se furnizimi global i naftës u rrit me 330 mijë fuçi në ditë në prill në 93.37 milionë fuçi në ditë, pasi flukset më të larta nga SHBA, Rusia dhe Brazili, të kombinuara me një rritje të konsiderueshme të biokarburanteve kanë qenë më të larta sesa kompensimi i ndërprerjeve të mëdha të mirëmbajtjes në Kanada.
Shifra vazhdon të jetë nën 6.7 milionë fuçi në ditë që nga prilli 2020 kur shumë prodhues të OPEC plus pompuan një rekord ose afër rekordeve. Gjatë majit, Arabia Saudite pritet të kryesojë me një rritje shumë më të madhe në prodhimin botëror të naftës ndërsa aleanca OPEC plus vazhdon lehtësimin e frenimit të prodhimit.
Prodhimi i naftës bruto i OPEC-ut arriti në 25.04 milionë fuçi në ditë në prill, duke regjistruar një rritje prej 70 mijë fuçi në ditë krahasuar me muajin e kaluar.
Prodhimi i vendeve jashtë OPEC-ut gjithashtu shënoi rritje me pothuajse 370 mijë fuçi në ditë në 63.14 milionë fuçi në ditë.