Adel Omeragic
30 Shtator 2015•Përditësim: 30 Shtator 2015
PODGORICË (AA) - Enti Statistikor në Mal të Zi (MONSTAT) publikoi sot rezultatet përfundimtare të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në Mal të Zi për vitin 2014. Sipas të dhënave të fundit, GDP-ja e Malit të Zi në vitin 2014 arriti në 3 miliardë e 458 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë publikimit të të dhënave, drejtoresha e MONSTAT-it, Gordana Radojeviç tha se në vitin 2014 është shënuar rritje e PBB-së për kokë banori.
"PBB në Mal të Zi në vitin 2014 arriti në 3 miliardë e 458 milionë euro. Kjo do të thotë se në vitin 2014 në krahasim me vitin e kaluar është krijuar vlerë më e madhe prej rreth 95 milionë eurosh. Në vitin 2014, në krahasim me vitin e kaluar, rritja reale e PBB-së ishte 1.8 për qind. BPV për kokë banori në vitin 2014 arriti në 5.561 euro, e cila është rreth 150 euro më shumë se vitin e kaluar", ka thënë Radojeviç.
Ajo tha se në llogaritjen e PBB-së ka përdorur metodologjinë më të re, e cila është definuar nga sistemi evropian për llogari kombëtare nga viti 2010.
"Enti Statistikor (MONSTAT) ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e zgjidhjeve të fundit dhe standardeve, dhe kështu ishte në gjendje për të llogaritur BPV-në për vitin 2014, ashtu siç e bëjnë të gjitha vendet e BE-së", ka thënë Radojeviç.
Ky është tashmë viti i dytë që Produkti i Brendshëm Bruto në Mal të Zi rritet. Në vitin 2013, PBB-ja arriti në 3 miliardë e 362 milionë euro, kurse në vitin 2012 në 3 miliardë e 181 milionë euro.
Sipas rezultateve paraprake, rritja reale në tremujorin e dytë të vitit 2015 ishte 3.4 për qind, njoftoi MONSTAT-i.