Muhammed Ali Gürtaş
28 Nëntor 2017•Përditësim: 29 Nëntor 2017
ANKARA (AA) - Ekonomia e Turqisë pritet të ketë rritje prej mbi 6 për qind deri në fund të këtij viti, njoftoi të martën Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në një raport të publikuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Rritja ekonomike vlerësohet të ketë tejkaluar 6 për qind në vitin 2017, nxitur nga stimulimi i fortë fiskal dhe rimëkëmbja e tregut të eksporteve", thuhet nga OECD.
"Ajo pritet të qëndrojë ndërmjet 4.5 dhe 5 përqind në vitin 2018 dhe 2019", theksohet më tej në raport.
Sipas OECD, inflacioni i çmimeve të konsumit mbetet mbi objektivin, kurse disinflacioni parashikohet të jetë i ngadalshëm.
Rritja vjen pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ngriti parashikimin e rritjes së Turqisë në vitin 2017 me 2.6 për qind më 10 tetor, Banka Botërore me 0.4 për qind më 19 tetor, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) me 2.6 për qind më 7 nëntor dhe Bashkimi Evropian me 2.3 për qind më 11 nëntor.
Ekonomia e Turqisë u rrit përtej parashikimeve në tremujorin e parë (5.2 për qind) dhe tremujorin e dytë (5.1 për qind) të këtij viti, sipas Institutit Turk të Statistikave (TurkStat).
Ekonomia turke u rrit për 5.2 për qind në vitin 2014, 6.1 për qind në vitin 2015 dhe 2.9 për qind vitin e kaluar.
Siç është theksuar në programin afatmesëm ekonomik të vendit të shpallur më 27 shtator, qeveria synon rritje prej 5.5 për qind këtë vit, si dhe deri në vitin 2020.
"Progresi efektiv me reformat strukturore të shpallura, transparencën fiskale dhe objektivat e disinflacionit të Programit Ekonomik Afatmesëm 2018-20 do të rrisë besimin dhe do të nxisë investimet private të biznesit vendas dhe të huaj", ka shtuar organizata.
Të hënën, Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se nuk do të ishte befasi nëse ekonomia turke rritet për rreth 7 për qind në vitin 2017.