Saadet Firdevs Aparı
22 Korrik 2022•Përditësim: 26 Korrik 2022
Qeveria e Gjermanisë do të blejë 30 për qind të aksioneve të kompanisë "Uniper", si pjesë e planit për të shpëtuar kompaninë e cila është importuesi më i madh në vend i gazit rus, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kompania në një deklaratë tha se pas rritjes së çmimeve të gazit natyror dhe rënies së dërgesave ruse qeveria gjermane ka pranuar planin e shpëtimit duke blerë 30 për qind të aksioneve të kompanisë.
"Uniper" dy javë më parë kishte kërkuar paketën e shpëtimit.
Pas luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, Ministria e Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës e Gjermanisë në prill njoftoi një paketë ligjesh për të përshpejtuar rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe për të larguar varësinë nga Rusia në energji.
Më 7 korrik, Bundestagu gjerman miratoi “Ligjin e Pashkëve”, i cili u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe synon rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme në vend.
Ligji përfshin objektiva ambicioze për të rritur prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, era në tokë dhe nga energjia e erës në det, duke theksuar se përdorimi i energjisë së rinovueshme është në interes të sigurisë publike.
Në Gjermani, vendi me konsumin më të lartë të energjisë në Evropë, më shumë se 42 për qind e prodhimit të energjisë elektrike sigurohet aktualisht nga burimet e rinovueshme të energjisë. Qeveria gjermane më parë synonte të rriste pjesën e energjisë së rinovueshme në konsumin e energjisë elektrike në 65 për qind deri në vitin 2030.
Para luftës Rusi-Ukrainë, Gjermania blinte 55 për qind të gazit të saj natyror, 35 për qind të naftës bruto dhe 45 për qind të qymyrit nga Rusia.