Aysu Biçer
09 Tetor 2020•Përditësim: 09 Tetor 2020
Marrëdhëniet bilaterale tregtare dhe afariste të Turqisë me SHBA-të janë përmirësuar pavarësisht pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), tha zëvendës ministri turk i Tregtisë, Riza Tuna Turagay, raporton Anadolu Agency (AA).
"Vëllimi i tregtisë u rrit 3,5 për qind në bazë vjetore gjatë këtyre kohërave të jashtëzakonshme kur vendet po luftojnë për të tregtuar me partnerët e tyre", tha Turagay në një aktivitet të organizuar online mbi të ardhmen e marrëdhënieve tregtare Turqi-SHBA të organizuara nga Organizata e Trashëgimisë së Turqisë.
Qëllimi prej 100 miliardë dollarësh në tregtinë dypalëshe të vendosur nga të dy vendet nuk është i motivuar politikisht, shtoi ai.
Në qershor të vitit 2019, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij amerikan Donald Trump ngritën qëllimin dypalësh tregtar nga 75 miliardë dollarë në 100 miliardë dollarë.
"Pavarësisht se kemi parë disa ngritje dhe rënie në marrëdhëniet tona dypalëshe, në fund të ditës, e gjitha ka të bëjë me marrëdhëniet tregtare dhe komerciale. Besoj se duhet të arrijmë përparim të shpejtë drejt synimit. Në këtë sens, rritja e rrjeteve midis komuniteteve tona të biznesit është shumë e vlefshme", tha ai.
Turagay theksoi se një marrëveshje e tregtisë së lirë midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të liberalizuar reciprokisht tregtinë në sektorë të caktuar do t'i jepte një shtytje të shëndetshme lidhjeve dypalëshe.
Megjithatë, sipas tij, para se të arrihej marrëveshje e tillë, çështje të caktuara duhej të zgjidhen.
"Ne krijuam bashkimin doganor me BE-në, kështu që duhet të ndjekim hapat e BE-së. Ky është një nga kufizimet", shpjegoi ai.
Tarifat mbi produktet e çelikut turk dhe heqja e Turqisë nga programi i përgjithshëm i preferencës për tregtinë po ashtu u konsideruan kufizime nga Ankaraja, vuri në dukje ai.
"Pra, ne duhet t'i zgjidhim këto probleme dhe hapi tjetër do të ishte marrëveshja e tregtisë së lirë", përfundoi Turagay.
Në mars të vitit 2018, Trump vendosi tarifë shtesë prej 25 për qind për importet e çelikut në një përpjekje për të mbrojtur sigurinë kombëtare.
Në gushtin e të njëjtit vit, Trump ngriti tarifat për importet e çelikut dhe aluminit nga Turqia në 50 për qind.
Ankaraja u kundërpërgjigj duke zbatuar tarifa të barabarta për disa produkte të importuara nga SHBA.
Në maj vitit 2019, SHBA uli tarifat për importet e çelikut nga Turqia në 25 për qind.