Murat Temizer
12 Tetor 2015•Përditësim: 12 Tetor 2015
MOSKË (AA) – Moska dhe Pekini janë duke konsideruar mundësinë e ndërtimit të përbashkët të centaleve bërthamore në vendet e treta të botës, bëri të ditur sot zëvendëskryeministri i Rusisë, Dmitry Rogozin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rogozin, duke folur në ekspozitën e dytë Ruso-Kineze të zhvillur në qytetin kinez, Harbin, tha se ka një mirëkuptim serioz për mundësinë dhe nevojën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për bashkëpunim në sferën atomike që përfshin projekte të ndryshme në vendet e treta të botës.
"Ne do të vëmë në operim njësinë e parë lundruese të energjisë me Kinën brenda një viti. Kjo do të thotë bashkëpunimi i mëtejshëm jo vetëm në territorin e Kinës, por edhe hyrja e mundshme e të dyja shteteve në vendet e treta për ndërtim", citohet të ketë thënë Rogozin.
Manifestimi i dytë EXPO Ruso-Kinez i cili filloi sot në Harbin dhe do të vazhdojë deri të premtën, ka për qëllim zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet këtyre dy vendeve.
Marrëdhëniet tregtare bilaterale në mes Rusisë dhe Kinës tashmë janë në rritje. Këto vende në maj të vitit 2014 kanë nënshkruar një marrëveshje në vlerë 400 miliardë dollarë për të dërguar 38 miliardë metra kub të gazit rus në Kinë përmes itinerarit lindor, i njohur si Fuqia e Siberisë. Projekti parashikon që furnizimet e para të gazit të fillojnë në fund të vitit 2018 me 5 miliardë metra kub gaz në vit, dhe ka për qëllim të jetë plotësisht operacional në vitin 2019.