AP
12 Tetor 2015•Përditësim: 13 Tetor 2015
MOSKË (AA) - Nga kompania ruse Gazprom kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë furnizimin me gaz natyror për Ukrainën. Kjo do ta ndihmojë vendin në plotësimin e nevojave për energji gjatë periudhës së dimrit, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Alexei Miller ka deklaruar se furnizimi me gaz, i ndërprerë në pranverë, ka vazhduar të hënën në mëngjes pasi që Kievi zyrtar ka paguar 234 milionë dollarë.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua muajin e kaluar me ndihmën e Bashkimit Evropian do ti sigurojë Ukrainës furnizimin me gaz natyror në gjashtë muajt e ardhshëm, deri në mars të vitit 2016.
Mosmarrëveshjet e mëparshme midis Rusisë dhe Ukrainës sollën ndërprerjen e furnizimeve me gaz. Mosmarrëveshjet në vitin 2009 shkaktuan probleme serioze në furnizimin e gazit në Evropë gjatë dimrit.