Ekip
03 Qershor 2022•Përditësim: 03 Qershor 2022
Rusia vazhdon të depërtojë në të gjithë Afrikën, duke nënshkruar marrëveshje dypalëshe dhe tregtare, pavarësisht sanksioneve të ashpra perëndimore të vendosura për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.
"Sanksionet e NATO-s kundër Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës do të kenë shumë pak mbështetje në Afrikë", tha për Anadolu Agency (AA) Mustafa Mheta, një analist politik dhe bashkëpunëtor kërkimor në Rrjetin e Rishikimit të Mediave (MRN).
Këtë javë, Zimbabve dhe Rusia u zotuan të thellojnë dhe zgjerojnë marrëdhëniet dypalëshe gjatë sesionit të katërt të Komisionit Ndërqeveritar (ICG) mbi bashkëpunimin ekonomik, tregtar, shkencor dhe teknik të mbajtur në kryeqytetin Harare.
Portali lokal Zimbabwe Mail raportoi të enjten se ministri rus i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit, Alexander Kozlov, i kishte propozuar ministrit të Minierave të Zimbabvesë, Winston Chitand, të angazhonte kompaninë ruse Zarubezhgeologiya për të punuar në hartën gjeologjike në Zimbabve.
Duke cituar agjencinë ruse të lajmeve Interfax, portali thekson më tej se Zimbabve gjithashtu shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse pjesëmarrjen e kompanive ruse në kërkimin dhe zhvillimin e depozitave.
Marrëveshja ushtarake me Kamerunin
Ndërkohë, në prill, Kameruni nënshkroi një marrëveshje strategjike ushtarake me Rusinë, duke u bërë vendi i parë afrikan që nënshkruan diçka të tillë që kur Kremlini nisi ofensivën ndaj Ukrainës.
"Shumë vende anembanë Afrikës po nënshkruajnë marrëveshje me Rusinë. Kjo për arsyen e thjeshtë se Rusia, ashtu si Kina, nuk ndërhyn në punët e klientëve të saj dhe i trajton ata si partnerë të barabartë dhe sovran", tha Mheta.
Marrëveshja për bashkëpunimin e mbrojtjes e arritur midis Moskës dhe Kamerunit synon të ndihmojë shtetin e Afrikës Qendrore në luftën kundër piraterisë dhe të trajnojë trupat e tij në luftën kundër terrorizmit, tha ndër të tjera ai.
"Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nuk janë në nivelin e Kombeve të Bashkuara, me ndikim universal. Kjo është arsyeja pse Rusia dhe disa vende afrikane po nënshkruajnë marrëveshje", tha për Anadolu Agency, Dirk Kotze, profesor i shkencave politike në Universitetin e Afrikës së Jugut.
Kotze kosideron gjithashtu tha se është më e lehtë për Rusinë të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me qeveritë që janë më pak demokratike në kontinent.
"Qeveritë me demokraci të diskutueshme në kontinent nuk duhet të merren shumë me vendimmarrje për të arritur një marrëveshje me një vend tjetër në krahasim me ato me procese shumë demokratike", tha ai, duke shtuar se i takon secilit vend të zgjedhë se me kë të punojë.
Lufta krijon blloqe në kontinent
Kotze pretendon se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës krijoi blloqe në kontinentin afrikan, me disa vende që votuan në mbështetje të Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa të tjerët ishin kundër pushtimit të saj ose abstenuan.
Sulltan Kakuba, politolog në Universitetin Kyambogo në Ugandë, ishte i mendimit se konflikti me të vërtetë ka krijuar blloqe në Afrikë.
Ai tha se shumë vende në kontinent blejnë pajisjet e tyre ushtarake nga Rusia, dhe disa thonë se Rusia luajti një rol në luftën për pavarësinë e shumë vendeve.
Kompanitë ruse në Afrikë
I dërguari i posaçëm i Presidentit rus për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, Mikhail Bogdanov, tha për Interfax të enjten se Afrika ka qenë gjithmonë një rajon i rëndësishëm për Rusinë për sa i përket politikës së jashtme, tregtisë, bashkëpunimit ekonomik dhe humanitar.
Ai tha se shumë afrikanë studiuan në universitetet ruse midis viteve 1950 dhe 60. Bogdanov tha gjithashtu se Rusia ka qenë në anën e shumë vendeve afrikane në luftën e tyre për pavarësi dhe se kjo është baza për rinovimin e lidhjeve ruso-afrikane. Ai tha se shpresojnë se shumë kompani ruse do të bëjnë biznes në Afrikë.