27 Gusht 2015•Përditësim: 30 Gusht 2015
PRISHTINË (AA) - Kosova dhe Mali i Zi e kanë përmbyllur sot procesin e demarkacionit duke e nënshkruar Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror, në Vjenë. Marrëveshjen e kanë nënshkruar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, për palën kosovare, kurse në emër të Malit të Zi, nënshkrimin e bënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç. Të pranishëm gjatë nënshkrimit ishin edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës" ka deklaruar pas nënshkrimit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai e quajti këtë ditë si një ditë të rëndësishme për raportet ndërmjet të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për tërë rajonin. Sipas Thaçit, me këtë dëshmohet se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Me këtë u pajtua edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiç. “Marrëveshja është shembull për rajonin dhe vlerësoi se është bërë në prag të Samitit të Vjenës, si konfirmim se rajoni është i përkushtuar në procesin e integrimit në BE dhe NATO” ka deklaruar Llukshiç, thuhet në komunikatë.
Në fund Thaçi ka theksuar se, Kosova pas përmbylljes së procesit të demarkacionit të kufirit me Shqipërinë, Maqedoninë dhe sot me Malin e Zi, shpreson që së shpejti të përmbyll demarkacionin edhe me Serbinë.
Mirëpo, gjatë ditës së sotme, në Kosovë, një grup i banorëve të qytetit të Pejës kanë protestuar kundër nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, duke bllokuar magjistralen Pejë-Kullë-Rozhajë. Protestuesit kanë ftuar udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës që të mos e nënshkruajnë marrëveshjen me të cilët, sipas tyre, Kosova do të humbë rreth 12 mijë hektar tokë të territorit të vet. Sipas protestuesve, Marrëveshja është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe do të sjellë ngatërresa dhe mosmarrëveshje territoriale në mes të dy vendeve.
Ditë me parë, për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ishte mbajtur një tubim në fshatin Kuçishtë të Rugovës, së bashku me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj ku ishte kundërshtuar rreptë kjo marrëveshje.
Njëkohësisht, protestuesit kanë bërë të ditur për opinion se, përfaqësuesit e komunitetit të këtij rajoni të Kosovës, po mundohen të sigurojnë 10 mijë nënshkrime nga qytetarët për ta dërguar çështjen në Kuvendin e Kosovës, për ta kundërshtuar ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.