Riyaz Khaliq Khaliq
22 Shtator 2021•Përditësim: 23 Shtator 2021
Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë ka bërë të ditur se SHB-ja ka hequr të gjitha kufizimet e importit për produktet bujqësore japoneze të vendosura pas katastrofës bërthamore të vitit 2011 në prefekturën 'Fukushima', transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se nga lista e kufizimeve janë hequr 100 artikujt e mbetur të prodhuar në 14 prefektura.
Qeveria e Japonisë ka vazhduar të kërkojë fuqishëm heqjen e kufizimeve të importit, përfshirë në Samitin Japoni-SHBA në muajin prill.
"Autoritetet përkatëse të Japonisë dhe SHBA-së kanë pasur një seri konsultimesh të bazuara në baza shkencore, të cilat çuan në këtë vendim", tha ministria japoneze.
Ky veprim është mirëpritur nga Japonia, e cila vjen përpara vizitës së ardhshme në SHBA të kryeministrit japonez, Yoshihide Suga.
“Është një hap të cilin banorët e zonave të goditura nga fatkeqësia e kanë pritur dhe diçka që do të kontribuojë shumë në rimëkëmbjen e atyre vendeve. Japonia e përshëndet këtë hap", shkroi ai në twitter.
Japonia pësoi një shkatërrim të gjerë kur impianti bërthamor 'Fukushima' pësoi dëme masive nga një tërmet i fuqishëm dhe cunami pasues, që mori mbi 15.000 jetë njerëzish.