Ekip
05 Shkurt 2016•Përditësim: 06 Shkurt 2016
TOKIO (AA) – Vullkani Sakurajima, në jug të ishullit japonez Kyushu, filloi të premten në mëngjes të hedh llavë dhe tym të dendur të zi, njoftoi Agjencia Meteorologjike e Japonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shpërthimi i njërit nga vullkanet më të njohur në Japoni, filloi në orën 7 sipas kohës lokale, ndërsa siç transmetuan mediat japoneze, vullkani arriti të krijojë një spektakël, duke nxjerr llavë, tym dhe hi në ajër me shkëndija dhe vetëtime ngjashëm si rrufe. “Ndonëse dramatike, kjo është njëri nga shpërthimet mesatare të këtij vullkani”, tha vullkanologu nga Universiteti në Kyotu Kazuiro Ishihara.
Agjencia Meteorologjike ndaloi afrimin deri te vullkani në diametër prej dy kilometrave, ndërsa lëshoi paralajmërim për gurët vullkanor dhe retë e tymit prej gati dy kilometrave. Ende nuk ka raport për viktima eventuale as për dëme materiale.
Që kur në vitin 1955 filloi të hedh llavë, vullkani Sakurajima është njëri nga më aktivët në Japoni.
Shpërthimi i fundit i këtij vullkani ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar. Arkipelagu japonez gjendet në “Unazën e zjarrtë” të Pacifikut dhe ka më shumë se 100 vullkane. Shpërthimi i vullkanit Ontake që ndodhi në vitin 2014 në Japoninë qendrore, shkaktoi vdekjen e 57 personave.