Muhammed Ali Gürtaş
01 Prill 2019•Përditësim: 02 Prill 2019
Shkalla e papunësisë në Bashkimin Evropian (BE) gjatë muajit shkurt ka qenë 6.5 për qind, flasin të dhënat e publikuara nga zyra e BE-së për Statistika (Eurostat), raporton Anadolu Agency (AA).
Eurostat-i thotë se shifrat e publikuara janë të njëjtat me ato të një muaji më parë, megjithatë shënojnë një ulje nga 7.1 për qind në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
"Shkalla e papunësisë sezonale në eurozonë (EA19) ishte 7.8 për qind në shkurt të vitit 2019, e njëjtë me atë të janarit, megjithatë është një ulje nga 8.5 për qind sa ishte në shkurt të vitit 2018", thotë Eurostat-i.
Eurozona, ose EA19 përfaqëson vendet anëtare që përdorin valutën e përbashkët euro, ndërsa BE28 përfshin të gjitha vendet anëtare të Bllokut.
"Eurostat vlerëson se 16 milionë burra dhe gra në BE28, nga të cilët 12.7 milionë janë në eurozonë kanë qenë të papunë në shkurt të vitit 2019", tha zyra e statistikave.
Siç bën të ditur Eurostat-i, shkalla më e ulët e papunësisë në shkurt midis vendeve të BE-së ishte në Republikën Çeke me 1.9 për qind dhe në Gjermani me 3.1 për qind.
Për sa i përket shkallës më të lartë, ajo është shënuar në Greqi 18 për qind në dhjetor 2018, shifrat më të fundit në dispozicion, Spanjë 13.9 për qind dhe Itali 10.7 për qind, tha Eurostat.
Shifrat zyrtare flasin për rreth 3.3 milionë të rinj të papunë që janë nën moshën 25 vjeçare, ku shkalla më e ulët është në Gjermani, Republikën Çeke dhe Holandë, ndërsa më e larta në Greqi, Itali dhe Spanjë.