Mehmet Yılmaz
11 Tetor 2017•Përditësim: 12 Tetor 2017
BUDAPEST (AA) - Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, duke u shprehur se përshpejtimi i integrimit euro-atlantik për vendet e Ballkanit Perëndimor është në interesin e sigurisë dhe ekonomisë të Evropës, tha se "BE brenda këtij viti duhet të hapë 6 kapituj të rinj me Serbinë dhe 3 me Malin e Zi. Duhet të përcaktohet data e fillimit të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ndërsa për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën duhet të përcaktohet objektivi i integrimit që mund të arrihet", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e vendeve të Grupit Vishegrad i cili u zhvillua në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, krahas ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të grupit, Polonisë, Çekisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Serbisë, Shqipërisë, Rumanisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës.
Szijjarto, pas takimit, për mediat është shprehur se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështetet kryesisht nga vendet e Evropës Qendrore. Ai tha se "Garancia e sigurisë së Ballkanit Perëndimor është përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO. Një Ballkan Perëndimor i paqëndrueshëm dhe i përmendur me krizë do të thotë rrezik serioz për Evropën Qendrore dhe të gjithë Evropën."
Vetëm vendet e qëndrueshme dhe të forta të Ballkanit mund ta ndalojnë krizën e refugjatëve nëse ajo fillon sërish, ka mbrojtur idenë e tij Szijjarto, duke shtuar se në të kundërt shumë shpejt refugjatët do të mbërrijnë në kufijtë jugorë të Hungarisë. Sipas tij, në këtë çështje bëhet fjalë për sigurinë e Evropës Qendrore.