Handan Kazancı
10 Prill 2023•Përditësim: 11 Prill 2023
Prodhuesi i makinave elektrike me bazë në SHBA, Tesla do të ndërtojë një megafabrikë të re në qendrën financiare kineze Shangai, transmeton Anadolu.
"Fabrika pritet të fillojë së funksionuari në tremujorin e tretë të këtij viti dhe të fillojë prodhimin e Megapacks në tremujorin e dytë të 2024," njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve kineze Xinhua, duke cituar përfaqësuesit e Tesla-s në ceremoninë e nënshkrimit të projektit në Shangai.
Fabrika e re fillimisht do të prodhojë 10.000 njësi Megapack çdo vit, që është e barabartë me rreth 40 GWh depozitim të energjisë. Produktet do të shiten në mbarë botën.
Tesla ka një megafabrikë në shtetin amerikan të Kalifornisë me një kapacitet prodhues prej 10.000 Megapack në vit.
Vitin e kaluar, u njoftua se Tesla planifikon të zgjerojë një nga fabrikat e saj më produktive të makinave, Gigafactory Shanghai, në përpjekje për të rritur kapacitetin vjetor në 450 mijë njësi.