Dilara Zengin
14 Shtator 2020•Përditësim: 14 Shtator 2020
Operacionet amerikane të aplikacionit TikTok në pronësi të kompanisë kineze ByteDance nuk do t'i shiten Microsoft-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se afati i dhënë për TikTok për t'iu shitur një kompanie amerikane nuk do të zgjatet, një deklaratë erdhi nga Microsoft, kompani e cila ishte në bisedime për të blerë operacionet amerikane të aplikacionit.
Në deklaratën e bërë nga Microsoft thuhet se ByteDance e ka njoftuar kompaninë se TikTok nuk do t’ia shesë asaj operacionet amerikane.
“Ne ishim të sigurt se oferta jonë do të ishte e mirë për përdoruesit e TikTok-ut, ndërsa mbronim interesat e sigurisë kombëtare”, tha Microsoft.
Nga ana tjetër, gazeta "The Wall Street Journal", duke cituar burime anonime, shkroi se ByteDance ka rënë dakord me kompaninë Oracle për operacionet e TikTok-ut në SHBA.
Më 3 gusht, Trump kishte paralajmëruar se SHBA do të ndalojë aplikacionin TikTok më 15 shtator nëse ai nuk i shitet një kompanie amerikane.
Në të njëjtën ditë, në një deklaratë të bërë nga Microsoft, një nga kompanitë kryesore të teknologjisë në SHBA, u tha se janë bërë negociata për blerjen e shërbimeve amerikane të aplikacionit TikTok, që i përket kompanisë kineze ByteDance.
Në deklaratë thuhej është negociuar një marrëveshje për të blerë shërbimet në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re dhe të drejtën për të vepruar në këto vende.
Së fundmi, Trump deklaroi se afati i dhënë për TikTok deri më 15 shtator nuk do të zgjatet tutje.
"Ose do ta mbyllim TikTok-un në këtë vend për arsye sigurie, ose ky aplikacion do t'i shitet një kompanie tjetër amerikane”, ka thënë Trump.