Fatjon Cuka
06 Prill 2016•Përditësim: 06 Prill 2016
TIRANË (AA) - Në Tiranë është prezantuar sot raporti i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) “Konkurrueshmëria në Evropën Juglindore”, që vlerëson progresin e reformave në 15 fushat e politikave në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë, Milva Ekonomi, mbajti fjalën e hapjes në këtë takim, ku merrnin pjesë përveç zyrtarëve të lartë edhe ekspertë të fushës së ekonomisë dhe biznesit.
Ekonomi në fjalën e saj u shpreh se ky raport ka vlera të veçanta dhe është një risi jo vetëm për Shqipërinë, por është një risi për të gjithë Ballkanin, që kërkon të analizojë politikat në një kuadër më të gjerë që ndërmarrin vendet për të rritur konkurrueshmërinë.
“Një raport i tillë pa dyshim që ndihmon vendet e Ballkanit për tu futur më lehtë në rrugën e globalizimit dhe për të kuptuar secili prej tyre se kush janë sfidat që ata duhet të përballen në këtë proces globalizimi. Raporti është i ndërtuar në atë mënyrë që ka 5 shtyllat kryesore"- theksoi ndër të tjera në fjalën e saj ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë.
Njëra prej këtyre pikave ku u ndal Ekonomi ishte edhe dimensioni i politikave në ndihmë të biznesit.
Qëllimi i takimit të sotëm ishte diskutimi mbi vlerësimet sasiore dhe cilësore të dimensioneve kryesore të politikave që lidhen me konkurrueshmërinë në gjashtë ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore në kuadër të SEE 2020.