Fatjon Cuka
05 Tetor 2016•Përditësim: 05 Tetor 2016
TIRANË (AA) - Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri në bashkëpunim me OSBE-në kanë organizuar një tryezë diskutimi mbi situatën e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria në institucionet shtetërore gjatë vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë auditorium u prezantua raporti i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) përgjatë vitit 2015 pas kontrolleve dhe monitorimeve në: Institucionet e vuajtjes së dënimit, komisariatet e policisë dhe drejtoritë e policive vendore, spitalet psikiatrike, qendrat rezidenciale të të huajve, të azilkërkuesve dhe personave të trafikuar, bazat dhe repartet ushtarake dhe pikat kufitare.
Auditoriumi filloi me fjalët përshëndetëse të Avokatit të Popullit, Igli Totozani dhe zv.kryetarit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton.
Totozani në fjalën e tij u shpreh se institucioni i Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka intensifikuar veprimtarinë e tij monitoruese në komisariate policie, burgje dhe ambientet e paraburgimit dhe spitale psikiatrike, duke zhvilluar, sipas tij, një volum të konsiderueshëm pune në mbrojtjen e të drejtave dhe trajtimit të personave të privuar nga liria ne institucionet shtetërore.
"Ky monitorim i vazhdueshëm përveçse rrit nivelin e transparencës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, përmirëson edhe metodologjinë e punës sonë. Ajo që vihet re dhe është e pranuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është fakti i mbipopullimit nëpër institucionet e paraburgimit dhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale, me një mesatare vjetore prej 25 përqind mbi kapacitetet. Ky realitet patjetër duhet ndryshuar. Mbetet akoma një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe e ligjit për shëndetin mendor trajtimi i personave për të cilët nga gjykatat është vendosur masa 'mjekim i detyruar' dhe 'shtrim i përkohshëm' në Institucione penitenciare e spitalet psikiatrike", u shpreh Totozani.
Sipas tij, ndodh shpesh që punonjësit e policisë ndihmojnë njeri-tjetrin kur ka dyshime për raste keqtrajtimi ose ata tentojnë të mbulojnë veprimet e paligjshme të kolegëve. "Duhet ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese, përmes trajnimeve dhe shembujve personalë, në mënyrë që të promovohet një kulturë që e konsideron jo-profesionale dhe pengesë në karrierë mbështetjen dhe mbulimin e akteve të kolegëve që keqtrajtojnë të dënuarit apo të ndaluar/arrestuarit", theksoi më tej Totozani në fjalën e tij.
Ndërsa zv.kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, theksoi se të gjithë personat e privuar nga liria duhet të trajtohen me respekt për dinjitetin e tyre njerëzor, sipas standardeve dhe ligjit shqiptar. "Mbrojtja e të drejtave të personave që vuajnë dënimin me burgim vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm, falë edhe punës së Avokatit të Popullit. Është rritur transparenca dhe mbrojtja e të drejtave të të burgosurve. Siç u theksua mbipopullimi mbetet shqetësim dhe përbën një sfidë të madhe për administratën e burgjeve dhe gjithashtu kërcënon të drejtat e personave të privuar nga liria", u shpreh Wilton.