Fatjon Cuka
29 Qershor 2016•Përditësim: 29 Qershor 2016
TIRANË (AA) – Është zhvilluar sot në Tiranë mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve, nën drejtimin e ministres shqiptare të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, raporton Anadolu Agency (AA).
Tema e mbledhjes ishte "Për formalizmin dhe investimet në bujqësi: Skema e rimbursimit të TVSH-së dhe subvencionet".
“Ne temat e mbledhjes i kemi vendosur bashkërisht në mënyrë kolegjiale. Tema e sotme ka të bëjë me formalizmin e bujqësisë dhe funksionimin e skemës së kompensimit të TVSH-së (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar) për nxitjen e investimeve. Gjatë takimit të sotëm diskutohet edhe për raportin e hartuar në lidhje me formalizimin e bujqësisë", u shpreh ministrja Ekonomi në fjalën e saj.
Ndërkohë pjesë e takimit ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të shoqatave të biznezeit, ekspertë të ekonomisë, etj.
Këshilli i Investimeve është një projekt i iniciuar në shkurt të vitit 2014 me firmosjen e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qëllimi i Këshillit të Investimeve është mundësimi i një dialogu të drejtpërdrejtë dhe aktiv mes biznesit dhe qeverisë, parashtrimi i problematikave të lidhura me klimën e biznesit dhe investimeve, raportimi i rasteve të praktikave të padrejta dhe abuzive ndaj biznesit, lufta ndaj korrupsionit, evazionit dhe informalitetit, si dhe sugjerimin e mekanizmave ligjore dhe procedurialë për parandalimin, eliminimin dhe zgjidhjen e tyre.