Övünç Kutlu
27 maj 2021•Përditësim: 28 maj 2021
Sipas agjencisë globale të vlerësimit 'Fitch Ratings', për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) tregu amerikan i punës pritet të mbetet i dobët deri në fund të vitit 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kthimi në punësimin e plotë në SHBA akoma është 18 muaj larg dhe do të kërkojë krijimin e shtatë milionë vendeve të tjera të punës", tha Fitch Ratings.
Në periudhën mars-prill të vitit 2020, për shkak të pandemisë në SHBA u humbën pothuajse 22 milionë vende të punës. Që atëherë, afërsisht gjysma e këtij numri është rikuperuar.
Sipas të dhënave deri në muajin prill të këtij viti kur niveli i papunësisë u rrit në 6,1 për qind nga 6 për qind një muaj më parë, sipas Departmentit Amerikan të Punës, ekonomia më e madhe në botë ka rreth 9.8 milionë persona të papunë.
"Përçarja masive e tregut të punës në vitin 2020 duket se do të çojë në disa dhëmbëzime afatmesme dhe në furnizim të reduktuar të punës derisa papunësia afatgjate rritet dhe disa punëtorë të moshuar dekurajohen përgjithmonë nga aktiviteti i forcës së punës", tha Fitch Ratings, duke shtuar se do të duhet një kohë që tregu i punës të rimarrë ekuilibrin.
Paketat stimuluese nga ish-presidenti Donald Trump dhe administrata aktuale e presidentit Joe Biden kanë dhënë një mbështetje të fortë për kërkesën e punës.
Megjithatë, Fitch Ratings tha se nuk pret të regjistrohet një kthim në punësimin e plotë ose maksimal në tregun e punës deri në tremujorin e fundit të vitit 2022.
Për shkak të kushteve të dobëta të tregut të punës, Rezerva Federale e SHBA-së nuk duket se do të rrisë normat e interesit të paktën deri në vitin 2023 dhe banka qendrore aktualisht po sinjalizon vitin 2024 për një rritje të normës.