Mahmoud Barakat
17 Korrik 2019•Përditësim: 17 Korrik 2019
Irani ka mohuar raportet në media se është e gatshme të angazhohet në bisedime me SHBA-të për programin e raketave balistike të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i misionit të Iranit në Kombet e Bashkuara (OKB), Alireza Miryousefi, në llogarinë e tij në Twitter theksoi se raketat e Iranit janë “absolutisht të panegociueshme” me ndonjë vend.
Associated Press njoftoi se kryediplomati iranian, Javad Zarif, kishte sugjeruar se Teherani ishte e gatshme të negociojë programin e tij raketor nëse Washingtoni heq sanksionet.
“Ne e përjashtojmë interpretimin e AP-së nga deklaratat e Zarif-it në një intervistë me NBC-në”, tha misioni i Iranit në OKB.
Në intervistë, Zarif i bëri thirrje Washingtonit të ndalë eksportin e armëve në shtetet e rajonit.
“Këto janë armë amerikane që po shkojnë në rajonin tonë, duke e bërë rajonin tonë të gatshëm të shpërthejë. Pra, nëse duan të flasin për raketat tona, ata duhet së pari të ndalojnë shitjen e të gjitha këtyre armëve në rajonin tonë, duke përfshirë raketat”, tha Zarif.
Muajin e kaluar, Irani njoftoi se ka zhvilluar një sistem të ri të raketave të mbrojtjes ajrore të prodhuara në vend, që kanë aftësinë për të shkatërruar avionë luftarakë dhe dronë me një rreze deri në 120 kilometra.
Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit janë në rritje që nga muaji maj i vitit 2018, kur Washingtoni në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
Që nga ajo kohë, SHBA-të kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të ushtruar presion mbi Iranin për të rinegociuar marrëveshjen, si dhe për aktivitetet e tjera iraniane që Washingtoni i konsideron si “destabilizuese”.
Si pjesë e fushatës së saj, SHBA-të kanë rivendosur sanksione mbi eksportet e naftës iraniane të papërpunuar, të cilat kanë shkaktuar rënie në ekonominë iraniane.