Ekip
18 nëntor 2016•Përditësim: 18 nëntor 2016
WOLFSBURG (AA) – Prodhuesi i automobilave Volkswagen bëri të ditur se do të shkurtojë 30.000 vende pune, prej të cilave 23.000 në Gjermani, për të ulur shpenzimet dhe përmirësuar profitabilitetin, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjiganti automobilistik gjerman në këtë mënyrë synon që të rimëkëmbet nga skandali i vitit të kaluar që shpërtheu pasi u zbulua se automjetet me motor të dizelit kanë pasur softuer që ka mashtruar në testet për emetimin e gazrave.
Përfaqësuesit e kompanive theksuan se me shkurtimin e vendeve të punës deri në vitin 2020 do të kursehen 3.7 miliardë euro.
Volkswagen arriti marrëveshje me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pronarët e rreth 500.000 automjeteve me softuer kontestues në këtë vend që t’u paguajë rreth 15 miliardë dollarë dëmshpërblim.
Nga Volkswagen theksuan se qëllimi është ulja e shpenzimeve dhe investimeve të panevojshme, dhe këto para transferohen për investime në zhvillimin e automjeteve elektrike dhe në shërbime.