Bekim Laci
27 Korrik 2017•Përditësim: 27 Korrik 2017
SHKUP (AA) - Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kërkoi nga kompanitë private në vend, që të marrin në radhët e veta të punësuar nga administrata publike dhe shtetërore në mënyrë që ta shkarkojnë buxhetin e shtetit nga shpenzime të panevojshme me të cilat përballet nga shkaku i numrit të madh të administratorëve të punësuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Zaev, i shoqëruar nga ministra qeveritarë, të enjten realizoi një takim me afaristët të cilët gravitojnë në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), me të cilët bashkëbiseduan për problemet më të cilat përballet komuniteti i biznesit.
Zaev, u premtoi kompanive se do të jenë të barabarta në konkurrim me kompanitë e huaja, sepse siç tha “mori fund koha, kur për investime kapitale kërkoheshin kompani të huaja”. Megjithatë, Zaev kërkoi nga afaristët që kanë fushëveprim të ndryshëm, të bashkojnë forcat në mënyrë që të jenë më konkurrues karshi kompanive të mëdha të huaja që ofrojnë më shumë shërbime, sepse kështu tha Zaev paratë do të mbesin në vend.
Në adresimin e tij, Zaev kërkoi nga afaristët ndihmën e tyre për siç tha, punësimin e admistratës shtetërore dhe publike, në mesin e të cilës tha se ka shumë profesionistë të aftë që dinë punën por që realisht janë tepricë e cila pa nevojë ngarkon buxhetin e shtetit.
Ai tha më tej se dy ndërrimet në punën e administratës do të racionalizojë angazhimin e tyre, por përsëri numri i tyre është i madh.
“Do të ofrojmë që në vitin e parë ne të paguajmë pagën, ndërsa të punojë te ju, por me kusht që ta mbani së paku për edhe një vit”, tha Zaev i cili foli edhe për evazionin fiskal i cili është diku rreth 300 milionë euro. Kryeministri i Maqedonisë paralajmëroi veprime konkrete të shtetit në drejtim të luftimit të fshehjes së tatimit.
“Ne nuk do të bëjmë kërdi me gjoba. Kur të vijë inspektori për herë të parë, do të bisedojë me afaristin për t'i treguar dobësitë duke dhënë afat 30 ditor për rregullimin e anomalive financiare, dhe nëse pas afatit kjo nuk rregullohet, gjoba do të jetë më e lartë nga ajo që është sot”, paralajmëroi Zaev
Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, tha se kërkesat makro të komunitetit të biznesit është që një përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të shkojë në zhvillim të barabartë rajonal, të rregullojë infrastrukrurën e zonës Ekonomike të Vizbegut në Shkup, e cila në fakt akoma nuk figuron si e tillë, ndërkohë që ka 2500 të punësuar me qarkullim mbi 600 milionë euro, të zhdëmtohen bizneset nga përmbytjet në Hasanbeg, ku dëmi është rreth 15 milionë euro, dhe si kërkesë e katërt është regjistrimi i popullatës si një mekanizëm i cili do të qartësojë numrin e banorëve që është shumë i nevojshëm për ekonominë e vendit.
Zëvendës kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev nga ana e tij premtoi se qeveria do të jetë partnere e afaristëve, ndërkohë që duke u përgjigjur në kërkesat e kryetarit të OEMVP-së tha se tanimë është caktuar një takim me zonën Ekonomike të Vizbegut që do të mbahet më 7 gusht, sepse siç tha, është i njoftuar mirë me problemet e asaj zone, ndërkohë që premtoi përpjekjet maksimale për zgjidhjen e tyre.
Sa i përket zhvillimit rajonal, Angjushev tha se fillimisht duhet të bëhen matjet për çka në kabinetin e tij tashmë kanë filluar punët në kuadër të një projekti të financuar nga qeveria e Zvicrës i cili parasheh një softuer për evidentimin e secilit investim në shtet, për çka në fund të vitit do të fitohet një pasqyrë e saktë grafike se ku janë shpenzuar paratë.
Kërkesat e afaristëve me problemet e parashtruara në debat qeveria do t'i shqyrtojë gjatë punës së saj.