Bekim Laci
05 Korrik 2017•Përditësim: 06 Korrik 2017
SHKUP (AA) - Oda Ekonomike e Maqedonisë organizoi një takim të sektorit të biznesit me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev dhe përfaqësues të sektorëve ekonomik në qeveri, me ç'rast zyrtarët gjatë takimit, do të njihen me problemet dhe kërkesat e sektorit të biznesit, raporton Anadoliu Agency (AA).
Zaev u tha se afaristëve se qeveria gjendet para një ribalanci të buxhetit, për çka bën përpjekje për rialokim të mjeteve financiare duke shkurtuar nga shpenzimet joproduktive dhe duke shtuar në sferat ku ka nevojë, por sipas tij, aftësia kapitale e buxhetit nuk premton shumë.
Kryeministri i Maqedonisë, foli para afaristëve edhe për masat ekonomike me të cilat synohet mbajtja e të rinjve në shtet, respektivisht për krijimin e kushteve që ata të mos detyrohet të braktisin shtetin. Ai tha se kjo do të bëhet përmes rialokimit të fondeve në ''garancën rinore'' që mund të realizohet vetëm përmes kompanive private.
''Garanca rinore është një masë e cila zbatohet në Evropën Perëndimore dhe kjo është alokim të mjeteve në kompanitë për të siguruar pagë për të rinjtë të cilët do të trajnohen për t'u futur në tregun e punës, ndërsa afaristët do të përfitojnë një resurs cilësor'', tha Zaev sipas të cilit, kjo masë do të joshë të rinjtë të mbesin këtu dhe të krijojnë familje.
Kryeministri u bëri thirrje afaristëve për një ''shoqëri solidare'', duke u dhënë punëtorëve më shumë nga profiti i tyre, gjë e cila sipas tij, do të forcojë potencën ekonomike të qytetarit.
Në adresimin e tij para afaristëve, Zaev paralajmëroi një masë të re ekonomike, Partneriteti Publik Privat i cili sipas tij në shtetet Perëndimore ka dhënë rezultate shumë poizitive por që në Maqedoni nuk është fare i përdorur.
“Do t'i hapim fillimisht mundësitë në sektorët që janë deficitarë, siç është prodhimi i qelqit, prodhimi i plehut artificial të cilat nuk ekzistojnë në Maqedoni sepse mungon guximi i afaristëve për të nisur një biznes të tillë, shteti është në dispozicion për të ndihmuar si një ‘partner minor’, sepse gjatë importeve të këtyre, nga vendi dalin 450 milionë euro në vit”, tha Zaev.
Ai u ndal edhe tek investimet e huaja, duke përmendur një ndryshmin, i cili sipas tij, është ndihma shtetërore për kompanitë të cilat do të konsumojnë produkte ose shërbime nga kompanitë vendore.
Zv.kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, nga ana e tij u premtoi afaristëve se qeveria nuk do t'u bëjë konkurrencë jolojale kompanive duke hapur kompani politike, ndërkohë që duke përmendur postulatet kryesore mbi të cilat do të ndërtohet plani ekonomik i saj, tha se eksporti duhet të jetë prioriteti i zhvillimit ekonomik i një shteti të vogël dy milionësh siç është Maqedonia.
“Prandaj do të bëjmë të pamundurën të ndihmojmë kompanitë vendore të orientuara kah eksporti dhe t'u ndihmojmë të fitojnë tregje jashtë Maqedonisë, sepse vetëm kjo është një garancë për kompani të shëndosha, prosperuese në plan afatgjatë”, tha ai.
Qeveria tha Angjushev, do të angazhojë ekspertët e energjetikës të cilët do të analizojnë projektet e paralajmëruara energjetike të cilat asnjëherë nuk e panë dritën e realizimit, sepse sipas tij, qeveria do të bëjë çmos që prodhimi i energjisë elektrike të jetë më i rëndësishëm nga importi.
Përveç kërkesave gojore në takimin e sotëm, afaristët kanë përpiluar edhe një listë me kërkesa të shkruara të cilat do të shqyrtohen në ditët në vijim.