Zülfiya Yakup
13 Janar 2016•Përditësim: 14 Janar 2016
PRISHTINË (AA) - Njësitet e Doganës së Kosovës njoftojnë se kanë realizuar një operacion për sekuestrimin e një sasie të dyshuar të duhanit e cila kishte arritur të kontrabandohet nga Maqedonia, raporton Anadolu Agency.
Ky operacion thuhet në njoftim, ka zgjatur për afër dy ditë ku fillimisht u arrit të konfiskohet sasia e duhanit dhe pastaj të bëhet edhe arrestimi i pronarit të këtyre produkteve i cili sot me urdhër të prokurorit është dërguar në paraburgim.
“Furgoni i cili transportonte mallrat kontrabandë udhëtonte në magjistralen Gjilan – Prishtinë dhe njëkohësisht ishte duke u ndjekur nga vetura të tjera të kontrabandisteve. Njësitet e doganës kanë ndaluar furgonin, por gjatë këtij procesit janë sulmuar nga një veturë e cila ishte në përcjellje të tij. Kjo veturë goditi disa herë automjetet e doganës. Pas sulmit ndaj oficerëve doganor vetura e cila ishte në përcjellje arriti të largohet përkohësisht, mirëpo oficerët doganor nuk ndërmorën masa, bazuar në vlerësimin e situatës dhe rrezikut dhe për faktin që në atë veturë gjendej edhe një fëmijë i moshës 10 vjeçare” thuhet në njoftimin e Doganës.
Nga aty sqarojnë se pas ikjes së automjetit dogana dhe policia e Kosovës janë angazhuar në kapjen e të dyshuarit dhe ai sot është marrë në pyetje nga hetuesit doganor dhe është dërguar në paraburgim me urdhër të prokurorit.
Sasia e kapur e duhanit është afër 20000 pako, me vlerë 30.000 euro, tërë sasia është konfiskuar.