Zülfiya Yakup
27 Prill 2016•Përditësim: 27 Prill 2016
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndeti aksionin e sotëm të organeve kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik dhe juridik, çelës i të ardhmes sonë evropiane. Pres nga të gjithë që janë të përfshirë në procese gjyqësore që në tërësi të bashkëpunojnë me policinë dhe prokurorinë”, porositi presidenti Thaçi.
Zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikoliç – Solomon, më herët konfirmoi se në orët e mëngjesit ka filluar një aksion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Meqë aksioni është në vazhdim, zëdhënësja e EULEX-it nuk ka dhënë detaje.
Mediat kosovare, megjithatë, transmetojnë se është kryer kontroll në mbi 40 lokacione në Kosovë dhe se kërkohen rreth 50 persona, që dyshohet se janë të përfshirë në krim të organizuar, në mesin e të cilëve edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Azem Syla.