Hasan Tosun
22 shtator 2016•Përditësim: 22 shtator 2016
BRATISLAVË (AA) – Me rinovimin e marrëveshjes rritet fusha e bashkëpunimit në mes Anadolu Agency (AA) dhe Agjencisë së Lajmeve të Sllovakisë (TASR), raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të Konferencës së Unionit të Agjencive Evropiane të Lajmeve që po organizohet në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë, u rinovua marrëveshja për bashkëpunim mes AA-së dhe TASR-së që daton nga viti 1999.
Marrëveshjen me të cilën u zgjeruan fushat e bashkëpunimit e nënshkruan Zv/Drejtori i Përgjithshëm i AA-së Mustafa Özkaya dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Sllovake të Lajmeve (TASR) Jaroslav Reznik.
Sipas marrëveshjes, mes AA-së dhe TASR-së do të bëhet ndarja e lajmeve, fotografive dhe xhirimeve. AA do t’i ndajë me abonentët në tërë botën lajmet, fotografitë dhe xhirimet e marra nga TASR, ndërsa TASR me abonentët e saj do t’i ndajë lajmet e Turqisë që do t’i marrë nga AA.
Zv/Drejtori i Përgjithshëm i AA-së Özkaya në deklaratën pas nënshkrimit të marrëveshjes theksoi se AA ka rritur bashkëpunimin me agjencitë nëpë botë dhe popullaritetin.
Ai tha se e kanë zgjeruar bashkëpunimin me agjencitë e lajmeve në Ballkan dhe veçanërisht me ato në Evropën Lindore.
“Kjo marrëdhënie që e krijuam me Agjencinë e Lajmeve të Sllovakisë do ta përmirësojë ndarjen reciproke të lajmeve, fotografive dhe xhirimeve në rajon. Shtrirja jonë këtu do ta forcojë edhe më shumë shpërndarjen e lajmeve të këtushme në Turqi dhe botë. Në këtë drejtim, nënshkruam një marrëveshje shumë të rëndësishme si dy palë”, tha Özkaya.
- “Hap i rëndësishëm për tejkalimin e propagandave të gabuara”
Özkaya tregoi se gjatë konferencës krerëve të agjencive u ka dhënë informacione në lidhje me tentativën për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO më 15 korrik. Ai tha se të pranishmit i ka informuar se në lidhje me tentativën për grusht shteti mund të bëjnë ndarje të pakufizuara të xhirimeve, lajmeve dhe fotografive. Sipas tij, kjo gjë është vlerësuar me kënaqësi.
“Thamë se do të ndjehemi shumë të lumtur nga ndarja e fotografive, lajmeve dhe xhirimeve në lidhje me tentativën për grusht shteti”, u shpreh Özkaya.
Duke theksuar se shpreson që marrëveshja ta rrisë bashkëpunimin si mes dy agjencive, ashtu edhe mes shoqërive të dy shteteve, Özkaya tha se “Në këtë drejtim, ne bëmë hap të rëndësishëm për përçimin e zhvillimeve në Turqi në këtë rajon dhe për tejkalimin e propagandave të gabuara".
- “U ndijeva i gëzuar”
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Lajmeve të Sllovakisë, Jaroslav Reznik e shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes, siç tha ai, me një agjenci të rëndësishme siç është AA.
“U ndjeva i gëzuar nga fillimi i bashkëpunimit mes agjencive tona. Shpresoj që ky të jetë një proces i shpejtë dhe produktiv”, tha Reznik.
Ndryshe, marrëveshja për bashkëpunim mes AA-së dhe TASR-së ishte realizuar në vitin 1999.
- Reznik pranoi librin rreth tentativës për grusht shteti -
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i AA-së Özkaya dhe Drejtorit të Përgjithshëm të TASR Reznik i dhuroi librin “Tentativa për grusht shteti nga FETO minutë pas minuti” dhe librin 'Istanbul Photo Awards 2016' me fotografitë e shpërblyera në garën e organizuar nga AA.
Në konferencën që po zhvillohet nën mikpritjen e TASR dhe që do të përfundojë ditën e nesërme, po diskutohet rreth sigurisë së agjencive të lajmeve në botën dixhitale.
Drejtuesit e agjencive që po marrin pjesë në konferencë bënë fotografi të përbashkët para përmendores së astronomit dhe gjeneralit sllovak Milan Rastislav Stefanik në brigjet e lumit Tuna, i cili ishte kryesues në themelimin e Çekosllovakisë.