ANKARA (AA) - Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, deklaroi se një operacion ushtarak në Idlib do ta çonte drejt katastrofës rajonin tashmë problematik, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një takim me ambasadorët e disa vendeve, Akar tha se siguria dhe stabiliteti ndërkombëtar janë duke u përballur me rreziqe të konsiderueshme, ndërsa shtoi se Turqia në të njëjtë kohë është duke luftuar kundër shumë kërcënimeve.
"Teksa në njërën anë luftojmë kundër FETO-s dhe PKK/PYD/YPG/KCK-së, në anën tjetër strehojmë më shumë se tre milionë sirianë", theksoi Akar.
Ai nënvizoi se Turqia respekton integritetin territorial dhe politik jo vetëm të Sirisë dhe Irakut, por të të gjithë fqinjve të saj.
"Megjithatë, ne nuk heshtëm ndaj sulmeve që erdhën nga këto shtete në drejtim të shtetit tonë. Edhe në të ardhmën, nuk do të heshtim", deklaroi Akar, duke iu referuar sulmeve të organizatave terroriste në drejtim të territorit turk.
Duke folur për zhvillimet e fundit në Siri, Akar rikujtoi thirrjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në samitin e Teheranit për arritjen e armëpushimit sa më parë.
"Idlibi është në prag të një krize të re. Ne po punojmë me Rusinë, Iranin dhe aleatët tanë për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe parandalimin e një drame humanitare", theksoi ministri turk.
"Çdo operacion ushtarak në Idlib do ta çonte drejt një katastrofe rajonin tashmë problematik. Vendet tona duhet t'i japin rëndësi të madhe bashkëpunimit mes vete në një kohë kur mbizotërojnë pasiguritë dhe të jenë të vullnetshëm në këtë çështje", tha Akar, duke shtuar se vetëm përmes bashkëveprimit mund të gjenden zgjidhje për problemet në botë dhe rajon.
Akar kritikoi faktin që disa shtetete janë zotuar të kundërpërgjigjen vetëm ndaj përdorimit të armëve kimike, duke theksuar nevojën për kundërshtim të vrasjeve edhe me armë konvencionale.
"Është e rëndësishme të bëhet dallim mes radikalëve dhe opozitarëve. Ky është proces që kërkon kohë. Bombardimi i rajonit jo vetëm që do të dëmtojë civilët, por edhe do të shkaktojë rritjen e radikalizimit", tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.