Nurettin Coşkun
20 Tetor 2017•Përditësim: 20 Tetor 2017
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se është e papranueshme që Organizata D-8 për Bashkëpunim Ekonomik të ngelet e njëjtë dhe se është e nevojshme që kësaj organizate t'i shtohen anëtarë të rinj, raporton Anadolu Agency (AA).
"Është e papranueshme që D-8 të ngelet e njëjta në një botë ku gjithçka ndryshon. Mendoj që organizatën tonë duhet ta forcojmë me anëtarë dhe partnerë të rinj. Nuk ka kuptim të frikohemi nga zgjerimi, por duhet të jemi të qetë lidhur me këtë", tha presidenti turk në fjalën e tij në hapjen e Samitit të Nëntë të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik që po mbahet në Stamboll.
"Në mekanizmat e vendimmarrjes, në vend të unanimitetit, ne duhet të përfitojmë nga shumica e kualifikuar, sepse mekanizimi i unanimitetit shumëherë bllokohet", shtoi Erdoğan.
Ai tha se shtetet e D-8-ës do të arrijnë një revolucion në historinë e saj nëse përdorin valutat e tyre kombëtare në tregtinë mes tyre.
"Nëse ne arrijmë të hapim rrugën që tanimë në tregtinë mes vete të përdorim valutat tona kombëtare, atëherë në do të kemi bërë një revolucion në historinë e D-8-ës. Nuk ka nevojë ta zbehim ekonominë tonë nën presionin e këmbimit valutor", theksoi presidenti i Turqisë.
Në samit marrin pjesë presidenti i Nigerisë, Muhamed Buhari, zv/presidenti i Iranit, Ishak Xhihangiri, zv/presidenti i Indonezisë, Muhammed Jusuf Kalla, kryeministri i Pakistanit, Shahid Hakan Abbasi, zv/kryeministri i Malajzisë, Zahid Hamidi, ministri Shtetëror Përgjegjës për Punë të Jashtme i Bangladeshit, Muhamed Shehrijar Alem dhe zv/ministri i Jashtëm i Egjiptit, Hamdi Loza.
Po ashtu, presidenti i Azerbejxhanit, Ilham Aliyev dhe presidenti i Guinesë, Alpha Conde marrin pjesë si presidentë të shteteve mysafire. Ndërkaq në samit marrin pjesë edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Ndryshe, Organizata D-8 për Bashkëpunim Ekonomik u themelua më 15 qershor të vitit 1997 me iniciativë të liderit të ndjerë turk Necmettin Erbakan, dhe kishte për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit dhe pasurimin e marrëdhënieve ekonomike dhe sociale mes Turqisë, Iranit, Pakistanit, Bangladeshit, Malajzisë, Indonezisë, Egjiptit dhe Nigerisë.