Nurhan Çorlu
07 Maj 2018•Përditësim: 07 Maj 2018
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot mori pjesë në ndarjen e Çmimeve të Paqes “Zeytin Dağı” dhe në premirën e dokumentarit “Shekulli i Fundit i Kudsit” ku deklaroi se deri më tani kanë ofruar ndihmë prej 31 miliardë dollarësh për sirianët të cilët ndodhen në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij në event Erdoğan tha se çështja e Palestinës dhe e Kudsit nuk është kauzë vetëm e një populli, të një gjeografie apo të një qyteti.
“Për shkak të persekutimeve, masakrave dhe padrejtësive ndaj të cilëve u nënshtrohen, palestinezët janë simbol i të gjithë të shtypurve në botë. Ndërsa Kudsi i cili përgjatë historisë është qyteti i shenjtë i hebrenjve, të krishterëve dhe muslimanëve është simbol i tubimit rreth vlerave të përbashkëta të njerëzimit. Për këtë arsye, mbrojtja e Palestinës dhe Kudsit nënkupton mbrojtjen e të gjitha gjërave të mira, të bukura dhe të drejta", tha Erdoğan.
Ai vuri në dukje se "E ardhmja e njerëzimit do të përcaktohet nga rezultatet e provimit që njerëzimi do t'i japë në rastin e Palestinës dhe Kudsit.
"Në qoftë se nga ky provim mund të dalim me një sukses të ndershëm, atëherë si njerëzim mund të shohim me siguri edhe shpresë në të ardhmen tonë. Nëse ndodh e kundërta atëherë neve mund të na presë një e ardhme e errët ku mbizotëron persekutimi dhe ku nuk ka të drejta, liri, dhe të gjitha dimensionet morale dhe të ndërgjegjes", tha presidenti Erdoğan.
Erdoğan gjatë fjalimit të tij po ashtu u shpreh se ato që po përjetohen në Palestinë, sidomos në Kuds nuk është diçka tjetër përveç përpjekjes për legjitimitim madje edhe institucionalizim të persekutimeve të mizorëve.
“Dhuna e ushtruar nga qeveria izraelite ndaj palestinezëve të cilët nuk kërkojnë asgjë përveç mbrojtjes së tokave të tyre, tregon se guximi i mizorëve po rritet çdo ditë e më shumë. Indiferenca e treguar nga komuniteti ndërkombëtar ndaj asaj që po përjetojnë palestinezët, ku dhjetra prej tyre ranë dëshmorë kurse mijëra të tjerë u plagosën është shenjë për një të ardhme ku asnjë popull, asnjë individ nuk do të jetë në siguri”, tha ai.
“Ne do të jemi paditës në të dy botërat ndaj qeverisë së Izraelit, i cili emrin e Palestinës dhe Kudsit, të cilat duhet të jenë qendra e paqes së njerëzimit, i radhiti pranë persekutimit", tha Erdoğan.
"Ato që po përjetohen në Palestinë dhe në Siri, na treguan të vërtetën e hidhur. Ne i njohëm mirë këta, po i njohim mirë, i dimë mirë dhe nuk është e mundur t’i harrojmë ato që na kanë thënë në takimet dypalëshe. Tek këta nuk ka as krijesë, as karakter njerëzor, as ndërgjegje", theksoi Erdoğan.
Përkundër asaj që sot Turqia është ekonomia me 17-të më e madhe në botë, sipas të dhënave të vitit të kaluar Erdoğan theksoi se Turqia me siguri ndodhet në vendin e parë sa i përket ndihmave humanitare.
"Atëherë pse shtetet të cilat garojnë mes vete kur thuhet fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake, e që janë në madhësi sa dyfishi, pesëfishi, dhjetëfishi i shtetit tonë, mbeten prapa nesh kur përmenden ndihmat humanitare? Sepse ndihma humanitare e cila është një punë plotësisht e ndërgjegjes dhe moralit, nuk sjellë para, nuk sjellë naftë, nuk sjellë ari, nuk sjellë fuqi politike. Këta janë aty ku ka diamant, ari dhe naftë për ta", tha ai.
Presidenti Erdoğan gjatë këtij eventi bëri të ditur se deri më tani kanë ofruar ndihmë prej 31 miliardë dollarë për sirianët të cilët ndodhen në Turqi.