İlkay Guder
10 Mars 2017•Përditësim: 10 Mars 2017
MOSKË (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në fjalimin e mbajtur në hapjen e takimit të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi, është shprehur se "Ka një rëndësi të madhe që ne të veprojmë në bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër terrorizmit. Qëndrimin e vendosur që kemi treguar kundër DEASH-it në Siri duhet ta tregojmë edhe kundër organizatave të tjera terroriste. Nga kjo pikëpamje presim që në Moskë t'i jepet fund kryesisht aktiviteteve të PYD-së, krahut PKK-së në Siri", raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi ka vënë në dukje se në takimin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kanë ndarë vlerësimet në lidhje me çështjen e Sirisë dhe luftën kundër terrorizmit, Erdoğan tha se "Mbi të gjithë mbi ne bien detyra të rëndësishme për të ndaluar gjakderdhjen dhe për të siguruar stabilitetin në Siri."
Ai ka theksuar se do të ishte e dobishme prania e punimeve për të aplikuar përsëri marrëveshjen e përjashtimit të vizave. "Jam në dijeni se po punoni mbi disa formula për biznesmenët tanë, për shoferët që kryejnë transport tregtar me Rusinë, për ekuipazhet e avionëve dhe pasaportat zyrtare. Dëshira jonë është që të hiqen të gjitha përjashtimet sa më shpejt të jetë e mundur".
Putin: Bashkëpunimi Rusi-Turqi në luftën kundër terrorizmit ka një rëndësi të veçantë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke theksuar se ka një potencial të rëndësishëm për të përmirësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë tha se "dy vendet nuk mjaftohen vetëm për të kompensuar humbjet, por në të njëjtën kohë mund të avancojnë në një nivel të ri marrëdhëniet, kjo është edhe ajo që Moska dëshiron".
Putin tha se në vitin 2017 shpresojnë që të kapërcejnë zhvillimet negative në tregtinë e përbashkët të përjetuara vitin e kaluar me Turqinë. Ai ka theksuar se Turqia është një prej partnerëve më të rëndësishëm të Rusisë.
Ndër të tjera Putin ka vlerësuar se mes Turqisë dhe Rusisë ka një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e bashkëpunimit në disa fusha, si metalurgjisë, prodhimit të automjeteve, komplekseve bujqësore-industriale dhe të automjeteve të bujqësisë, ku sipas tij, me projektin e tubacionit të gazit "Rrjedha Turke" do të rritet potenciali i Turqisë për tu bërë një vend tranzit në gazin natyror.
Duke folur edhe për projektin e centralit nuklear Akkuyu, Putin tha "Rasatom po zhvillon projektin e Akkuyu i cili do të jetë centrali i parë i Turqisë me fuqi nukleare. Kompanitë ruse marrin pjesë në projektet e modernizimit të centraleve hidroelektrike të Turqisë. Kemi mundësitë që të thellojmë bashkëpunimin në fushat industriale, automobilave dhe bujqësore. Dy vendet duhet të zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e biznesit, në shkencë, inovacion dhe teknologji."
Kalimin në monedhën vendase në tregti
"Jemi në dijeni se i nderuari president e mbështet këtë. Formimi i infrastrukturës të sistemit rus të pagesave Mir në Turqi mund të jetë një hap konkret për këtë", është shprehur Putin, duke theksuar se rritja e pjesës së monedhës vendase në tregëtinë e ndërsjellë do të ofrojë kontribute për zhvillimin e tregtisë mes dy vendeve.
"Bashkëpunimi në fushën teknike ushtarake, në kontaktet mes forcave të sigurisë dhe shërbimeve inteligjente, bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit ka një rëndësi të veçantë mes dy vendeve. Njësitë ruse të sigurisë janë të interesuara për shkëmbimin e informacionit rreth personave të lidhur me terroristët në të dy vendet", ka theksuar Putin.
Ndër të tjera Putin tha se në vitin 2019 Turqia dhe Rusia në mënyrë të ndërsjellë kanë planifikuar që të zhvillojnë vitin e turizmit dhe të kulturës.