Güç Gönel
15 shtator 2017•Përditësim: 16 shtator 2017
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e ka quajtur “amatorizëm politik” referendumin për pavarësi nga autoritetet e qeverisë rajonale kurde në Irakun e veriut të planifikuar për më 25 shtator, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kjo nuk është asgjë tjetër veç se eklips i trurit. Në kuptimin e plotë të fjalës, është amatorizëm politik. Nuk mund të ketë një botëkuptim të këtillë politik", tha Erdoğan në një intervistë të drejtpërdrejt për televizionin turk "ATV".
Lidhur me deklaratën e kryetarit të qeverisë rajonale kurde, Mesut Barzani për mbajtjen e referendumit, Erdoğan tha: “Barzani e di mjaft mirë se çfarë mendimi kemi ne. Deklarata e tij është me të vërtetë shumë e gabuar, sepse ai e di mirë ndjeshmërinë që ne kemi prej vitesh për integritetin territorial të Irakut.”
Ai vuri në dukje se Barzani do ta kuptojë pas takimit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Turqisë dhe Këshillit të Ministrave, më 22 shtator, se sa e ndjeshme është çështja për Turqinë.
“Hapat e hedhura aktualisht, deshëm ose nuk deshëm, na kanë detyruar të hyjmë në një proces të ri vendimarrjesh”, tha Erdoğan.
Presidenti turk tha se shqetësimin e tyre për integritetin territorial të Irakut e ndan edhe Irani.
“Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Sigurisë dhe qeverisë, edhe Turqia do ta shpalosë haptazi vendimin e saj. Irani tashmë ka shpalosur vendimin e tij mbi këtë çështje”, tha Erdoğan.
Ndryshe, kryetari i qeverisë rajonale kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani, shpalli mbajtjen e referendumit për pavarësi për më 25 shtator të vitit 2017, pas një mbledhjeje të zhvilluar me partitë politike më 7 qershor.
Bagdadi refuzon referendumin e planifikuar, duke thënë se kjo do të ndikojë negativisht në luftën kundër organizatës terroriste DEASH, e cila ende ka një prani të konsiderueshme në veri të Irakut.
Qeveria e Irakut gjithashtu beson se mbajtja e referendumit do të shkelte kushtetutën e vendit.
Turqia gjithashtu e hedh poshtë atë, duke thënë se stabiliteti i rajonit varet nga uniteti i Irakut dhe nga ruajtja e integritetit territorial të tij.
Qeveria rajonale po ashtu nuk ka hasur as në mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për "referendumin për pavarësi".